English

Java e Kuvendit në mesin e marsit

Prishtinë, 9 Mars NOA - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka vendosur që nga gjysma e marsit të këtij viti të organizojë "Javën e Kuvendit" të Republikës së Kosovës.

Nga data 15 deri më 26 mars planifikohet që kryetari i Kuvendit të Kosovës, i shoqëruar nga anëtarë të Kryesisë, sekretari i Kuvendit, si dhe deputetë nga zona, do të vizitojnë pesë komuna të Republikës së Kosovës: Ferizajn, Lipjanin, Vushtrrinë, Podujevën dhe Gjakovën.

Drejtues dhe deputetë të Kuvendit do të takohen me strukturat udhëheqëse komunale, këshilltarët komunalë si dhe me qytetarë.

Në funksion të transparencës së punës së legjislativit të vendit, Kryesia është pajtuar që në takimet gjatë "Javës së Kuvendit" të ftohen edhe organizatat ndërkombëtare dhe vendore që e mbështesin punën e Kuvendit (NDI, OSBE, KDI etj).

Takimet me drejtuesit komunalë planifikohet të mbahen nga ora 10:00 - 12:00, kurse takimet me qytetarë nga ora 13:30 - 15:00. Në vendet ku jetojnë edhe pjesëtarë të komuniteteve pakicë, takime të veçanta me përfaqësues të tyre do të mbahen pas orës 15:00.

Paneli drejtues i takimeve do të përbëhet nga Kryetari i Kuvendi të Kosovës, anëtarë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i komunës përkatëse, kurse temat për diskutim do të jenë: zhvillimet aktuale politike, objektivat e Kuvendit të Kosovës dhe çështje të tjera me interes për komunat përkatëse.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë është shqyrtuar edhe çështja e mbikëqyrjes së raporteve dhe të mandateve të agjencive të krijuara nga Kuvendi i Kosovës.

Kryesia ka autorizuar anëtarët e saj, z. Sabri Hamiti dhe z. Xhavit Haliti për të organizuar një takim të përgjegjësve të këtyre agjencive dhe të komisioneve parlamentare që i mbulojnë ato, për ta shqyrtuar çështjen dhe njoftuar Kryesinë e Kuvendit për rezultatet e takimit.

a.b/NOA

KOMENTE