English

Kredia, e harruar nga bankat

"Riaktivizimi i aktivitetit kreditues mbetet një objektiv sfidues, i cili do të kërkojë nxitjen e kërkesës finale dhe gjenerimin e plan-bizneseve të vlefshme për financim bankar, uljen e rrezikut real dhe atij të perceptuar të ekonomisë, rishikimin e strategjive të zhvillimit dhe të politikave kredituese nga bankat tregtare, si dhe reduktimin e kostove dhe të elementeve jo-kosto në kredidhënie"

Nga Ardian Fullani

Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Gjatë dy javëve të fundit kemi zhvilluar një dialog intensiv me Misionin e FMN-së, i cili ka vizituar Tiranën në kuadrin e konsultimeve periodike që bëhen për respektimin e Artikullit 4.

Gjatë këtyre bisedimeve është vlerësuar ecuria e mirë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit të shkuar, por edhe është theksuar nevoja për ndjekjen e politikave ekonomike të kujdesshme, të hartuara dhe të zbatuara në kontekstin e forcimit të stabilitetit makroekonomik e financiar.

Gjithashtu, një vëmendje e veçantë gjatë këtyre takimeve i është kushtuar nevojës për vazhdimin e reformës strukturore që do mbështesë rritjen tonë ekonomike afatgjatë.

Ekonomia shqiptare ka shënuar rritje ekonomike pozitive gjatë vitit të shkuar, duke arritur të përballojë me sukses goditjet direkte dhe indirekte të krizës ekonomike botërore.

Për më tepër, ekonomia shqiptare e kaloi këtë test duke ruajtur ekuilibrat e brendshëm ekonomikë dhe financiarë, të cilat shërbejnë si parakusht për një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Kështu, inflacioni është luhatur mesatarisht në intervalin 2-3 për qind gjatë vitit 2009; bilancet e jashtme të vendit kanë shfaqur shenja korrektimi; ndërkohë që sistemi bankar shqiptar mbetet i shëndetshëm dhe i mirëkapitalizuar.

Megjithatë, ritmi i rritjes ekonomike u zbeh ndjeshëm gjatë vitit 2009. Kriza ekonomike botërore, e cila preku thellë të gjitha vendet e rajonit, u shoqërua me ngadalësim të eksporteve, me ulje të remitancave dhe të flukseve të tjera hyrëse valutore, me rritje të pasigurisë dhe me ngadalësim të kreditimit.

Megjithëse viti 2010 parashikohet të shoqërohet nga një përmirësim gradual i kontekstit ekonomik botëror, shumë nga faktorët të cilat ndikuan negativisht ekonominë shqiptare do të vazhdojnë të jenë të pranishëm edhe gjatë këtij viti.

Politika stimuluese fiskale dhe monetare ndihmuan në mbështetjen e aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2009. Megjithatë, trajektoret fiskale dhe nevoja për stabilitet afatgjatë sugjerojnë se ekonomia shqiptare nuk mund të mbështetet për shumë kohë në stimulin fiskal.

Në këto kushte, një politikë fiskale më konservatore gjatë vitit 2010 është e nevojshme dhe e mirëpritur nga Banka e Shqipërisë. Në horizontin afatmesëm dhe afatgjatë, ne mbetemi të mendimit se qëndrueshmëria fiskale duhet të garantohet nëpërmjet një rregulli fiskal të qartë dhe të kujdesshëm.

Në rrethanat e reja, rritja ekonomike duhet të mbështet më shumë në nxitjen e sektorit privat të ekonomisë dhe këtu një rol kryesor ka kredia bankare. Shëndeti i mirë financiar i sistemit tonë bankar si dhe përmirësimi progresiv i kushteve të likuiditetit dhe primeve të rrezikut në tregjet e brendshme dhe të huaja financiare janë zhvillime inkurajuese.

Lehtësimi i kushteve monetare nga Banka e Shqipërisë dhe injektimet e likuiditetit prej saj kanë mbështetur dhe do të mbështesin më tej këtë proces.

Megjithatë, riaktivizimi i aktivitetit kreditues mbetet një objektiv sfidues, i cili do të kërkojë nxitjen e kërkesës finale dhe gjenerimin e plan-bizneseve të vlefshme për financim bankar, uljen e rrezikut real dhe atij të perceptuar të ekonomisë, rishikimin e strategjive të zhvillimit dhe të politikave kredituese nga bankat tregtare, si dhe reduktimin e kostove dhe të elementeve jo-kosto në kredidhënie.

Të gjithë këta faktorë parashikohen të shënojnë përmirësim gradual gjatë vitit, por ato do të mbeten larg niveleve të shënuara para krizës botërore.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e kujdesshme, duke u orientuar mbi të gjitha nga përmbushja e objektivit tonë të inflacionit. Tendencat e fundit rritëse të inflacionit duket të jenë motivuar nga faktorë të ofertës, me veprim të përkohshëm dhe intensitet të kufizuar.

Banka e Shqipërisë parashikon se tejkalimi i nivelit 4 për qind të inflacionit do të jetë i shkurtër në kohë dhe nuk do të pasohet nga presione të qëndrueshme inflacioniste. Projeksionet tona tregojnë se inflacioni i çmimeve të konsumit do të zbresë gradualisht drejt objektivit tonë prej 3 për qind gjatë vitit 2010.

Gjithsesi, ne mbetemi të vendosur të marrim të gjitha hapat e duhur për të garantuar këtë ecuri dhe për të përmbushur mandatin tonë ligjor për stabilitet çmimesh në ekonomi.

KOMENTE