Sejdiu: Belgjika ka mbështetur për një kohë të gjatë lirinë e popullit të Kosovës
Prishtinë, 9 Mars NOA - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot z. Yves Leterme, Kryeministër i Belgjikës, të cilin e falënderoi për përkrahjen e gjatë që ky vend i ka dhënë Kosovës, informon korrespondenti i agjencisë NOA.
Gjatë këtij takimi, Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Leterme diskutuan për marrëdhëniet në mes të dy vendeve, thellimin e bashkëpunimit bilateral, si dhe për perspektivën evropiane të rajonit.
"Vizioni i popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës është integrimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO", tha Presidenti Sejdiu.
Ai edhe një herë shfaqi besimin e plotë se Belgjika do të vazhdojë ta përkrahë fuqishëm Kosovën në këtë proces, ashtu siç e ka përkrahur edhe më parë në përpjekjet për liri dhe pavarësi.
Më tej, Presidenti Sejdiu pohoi se Republika e Kosovës angazhohet për integrimin e të gjithë rajonit në strukturat euroatlantike, meqë kjo do të ishte perspektiva më e mirë për të gjithë popujt e kësaj pjese të Evropës Juglindore.
Gjithashtu, Presidenti foli edhe për të arriturat e derisotme të Kosovës, si dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi ynë, me theks të veçantë në çështjet ekonomike.
Ndërkaq, Kryeministri Yves Leterme theksoi se Belgjika do të vazhdojë ta mbështesë Republikën e Kosovës dhe aspiratat e popullit të saj për të qenë sa më parë pjesë e integruar e familjes evropiane.
"Belgjika do të marrë Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian dhe gjatë këtij mandati do të ketë prioritet edhe rajonin tuaj, e ardhmja e të cilit pa dyshim që është në Evropën e bashkuar", theksoi Kryeministri Leterme.
Gjithashtu, Kryeministri Leterme premtoi se vendi i tij do ta ndihmojë Kosovën edhe në procesin e liberalizimit të vizave.
a.b/e.l/NOA