Prishtinë, 9 Mars NOA - Takime të niveleve të ndryshme mes institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, për t'i kapërcyer mosmarrëveshjet, janë zhvilluar edhe sot. Por, ato nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat, me gjithë sinjalizimet e KFOR-it. "Ka pasur bisedime dje dhe sot me institucionet e Kosovës. Do të shohim se çfarë do të ndodhë më vonë", ka thënë sot zëdhënësi i KFOR-it, Hans Peter Buh, raporton RFE.
Raportet mes KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës janë acaruar që nga e premtja e kaluar, kur në ceremoninë "Epopeja e UÇK-së" u paraqit e pajisur me armë Garda e FSK-së. Pas këtij veprimi, komandanti i KFOR-it ka pezulluar përkrahjen, mentorimin dhe trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për afat të pacaktuar. Ndërkohë, partitë opozitare në Kosovë i kanë sugjeruar Qeverisë që t'i kërkojë falje KFOR-it në lidhje me këtë mosmarrëveshje. Por, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, duke vazhduar të mbrojë paraqitjen e Gardës së armatosur më 5 mars. "Ky kërkim i faljes është ritual religjioz më shumë. Ata që shkojnë në xhami apo kishë, kanë nevojë të kërkojnë falje. Në këtë rast, nuk mendoj se është ndonjë arsye për të kërkuar falje. Është një arsye për sqarime të domosdoshme. Ne i kemi pasur sqarimet e duhura, do t'i bëjmë edhe tjerat". "Por, po ju përsëris, Kosova është shtet, i ka institucionet e veta. Do ta respektojmë çdo njeri, qoftë vendor ose ndërkombëtar, që ka dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë tonë. Por, askush në këtë botë nuk mund të kërkojë nga ne që të mos i respektojmë heronjtë tanë", ka thënë Hajredin Kuçi. KFOR-i ka argumentuar se paraqitja në stilin ushtarak, nuk përkon me statusin joushtarak të FSK-së. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka kujtuar se 5 marsi nuk ishte dita e parë kur FSK-ja është paraqitur e armatosur. Sidoqoftë, Kuçi ka thënë se nuk ka ndonjë betejë mes KFOR-it e Qeverisë. "Unë mendoj se këtu nuk ka asnjë mosmarrëveshje dhe mos të harrojmë se këtu nuk ka betejë mes KFOR-it, FSK-së apo Qeverisë. Ka marrëdhënie të shkëlqyera, do të vazhdojnë marrëdhëniet e tilla, por njëkohësisht më duhet të them se do të vazhdojmë t'i respektojmë heronjtë tanë, të kaluarën tonë dhe traditën tonë". "Mos të mendojë dikush që, përmes një rasti të tillë, mund ta mohojë të drejtën tonë për shtet, ta mohojë të drejtën për t'i respektuar vlerat tona kombëtare, kur e dimë të gjithë ne orientimin tonë për vlerat euroatlantike". "Ky ka qenë një rast i mirë për të sqaruar pozicionin tonë, por jo rast i mirë për ndonjë konfrontim. Përndryshe, Garda ka qenë me armë edhe kur kanë ardhur kryeministrat e ndryshëm, kur kanë ardhur edhe nënkryetarët e ndryshëm. Nuk është bërë kiameti që ka dalë me armë edhe atë ditë", ka thënë Kuçi. Në anën tjetër, komandanti i trupave amerikane të KFOR-it, gjeneral brigade, Alan Dohrman, është cituar nga mediat vendore të ketë thënë se qëllimi i KFOR-i nuk është që të shqiptojë ndonjë dënim kundër FSK-së, por që të arrijë një marrëveshje të kënaqshme për të dyja palët. Ai ka thënë se çdo mosmarrëveshje duhet të tejkalohet përmes dialogut të vazhdueshëm. Një ditë më parë, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se janë tejkaluar mosmarrëveshjet me KFOR-in. Por, një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga misioni paqeruajtës ushtarak. Formimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka filluar një vit më parë, ndërsa ngritja e kapaciteteve të saj është marrë përsipër nga NATO-ja. Është po kjo aleancë ajo që ka autoritet ekzekutiv ndaj FSK-së, derisa kjo forcë të arrijë kapacitetin e plotë operacional. Ngritja e FSK-së parashihet nga Plani i Ahtisarit, plan ky që nuk pranohet nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s, meqë disa nga to nuk e kanë njohur ende Kosovën.