English

Kuçi: Nuk i kërkojmë falje KFOR-it

Prishtinë, 9 mars, NOA - "Kërkimi i faljes është ritual religjioz dhe ata që shkojnë në xhami apo kishë kanë nevojë të kërkojnë falje. Në këtë rast, nuk mendoj se është ndonjë arsye për të kërkuar falje, vetëm një arsye për sqarime të domosdoshme". Këtë reagim ka dhënë zv/kryeministri kosovar, Hajredin Kuçi, lidhur me incidentin e ndodhur me KFOR-in ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sipas tij, Kosova është shtet dhe ka institucionet e veta.

"Do ta respektojmë çdo njeri, qoftë vendor ose ndërkombëtar, që ka dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë tonë. Por, askush në këtë botë nuk mund të kërkojë nga ne që të mos i respektojmë heronjtë tanë", ka thënë ai më pas. KFOR-i nga ana e tij ka argumentuar se paraqitja në stilin ushtarak, nuk përkon me statusin joushtarak të FSK-së. Megjithatë, Kuçi ka kujtuar se 5 marsi nuk ishte dita e parë kur FSK-ja është paraqitur e armatosur, duke shtuar se nuk ka ndonjë betejë mes KFOR-it dhe qeverisë. "Unë mendoj se këtu nuk ka asnjë mosmarrëveshje dhe mos të harrojmë se këtu nuk ka betejë mes KFOR-it, FSK-së apo qeverisë. Ka marrëdhënie të shkëlqyera, do të vazhdojnë marrëdhëniet e tilla, por njëkohësisht më duhet të them se do të vazhdojmë t'i respektojmë heronjtë tanë, të kaluarën tonë dhe traditën tonë", përfundoi ai deklaratën.

n.e/NOA

KOMENTE