Çështja e ujërave të zeza në Deçan së shpejti do të mbetet një kapitull i mbyllur
Deçan, 9 Mars NOA - Deçani sot shënoi një ngjarje mjaft të rëndësishme pasi çështja e ujërave të zeza në këtë lokalitet së shpejti do të mbetet si një kapitull i mbyllur dhe qyteti do të ketë një mjedis të pastër.
Ndërtimi i sistemit të kanalizimit do të përfshijë fshatrat Carabreg i Ulët dhe i Epërm, Llukë e Epërme dhe Beleg, - u tha sot pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe KK të Deçanit të cilin e nënshkruan ministri Mahir Yagcilar dhe kryetari i KK të Deçanit Z. Rasim Selmanaj.
Pas nënshkrimit të Memorandumit, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar, tha se projekti do të realizohet në faza të caktuara, por ajo që ka rëndësi është fakti se ujërat e zeza më nuk do ta ndotin mjedisin në qytetin e Deçanit.
Projekti do të jetë afatgjatë. Vlera e përllogaritur e projektit është dy milion euro. Nga kjo shumë Komuna e Deçanit do të sigurojë 400 mijë euro.
Ministria e Mjedisit përkatësisht Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku edhe me donatorët pas rishikimit të buxhetit të këtij viti do të financoj 600 mijë euro për të vazhduar deri në realizimin e plotë të projektit i cili pritet të përfundojë në vitin 2011. Bëhet e ditur se Memorandumi i Mirëkuptimit do të filloj të zbatohet që nga dita e sotme.
a.b/NOA