English

Meta: Bashkimi për Mesdheun, plan i ri

Tiranë, 9 mars, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta dha sot një drekë pune për ambasadorët rezidentë të vendeve anëtare të Bashkimit për Mesdheun, në kuadër të së cilës u zhvilluan biseda lidhur me angazhimin politik të Shqipërisë dhe projektet konkrete të këtij organizmi. Në fjalën e tij, Meta theksoi rëndësinë që Shqipëria i kushton bashkëpunimit në kuadër të BpM, i cili përbën një dimension relativisht të ri në politikën e jashtme shqiptare, me mundësi të reja dhe të shumta ndërveprimi, shkëmbimi, e bashkëpunimi për çështje të rëndësishme në interes të vendit, të rajonit të Mesdheut e më gjerë.

"Bashkëpunimin në kuadër të Bashkimit për Mesdheun, ne e shohim si një vlerë të shtuar të politikës sonë të jashtme dhe si pjesë komplementare të procesit tonë të integrimit", tha Meta.

Ai theksoi më tej synimin e qeverisë për të dinamizuar pjesëmarrjen e Shqipërisë jo vetëm në forumet e dialogut politik, por kryesisht në ato të bashkëpunimit konkret në fushën ekonomike, të kulturës, arsimit etj.

"Për këtë qëllim ne kemi përgatitur një plan konkret pune, ku përfshihet edhe mundësia e organizimit në Shqipëri të ndonjë takimi ministerial në fushën e energjisë apo të kulturës" tha Meta.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i kryesisë së radhës së BE-së, ambasadori i Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobbio theksoi objektivat prioritare të Bashkimit për Mesdheun, që kanë të bëjnë me transformimin e ideve në realitet me qëllim krijimin e një zone paqeje, dialogu ndërkulturor dhe prosperiteti në rajonin e Mesdheut.

Në fund, bashkëbiseduesit theksuan se kjo drekë pune përkon me një periudhë të rëndësishme të riorganizimit dhe ridimensionimit të bashkëpunimit në kuadër të Bashkimit për Mesdheun, duke u ndalur edhe në objektivat që duhen arritur dhe në sfidat e bashkëpunimit për të ardhmen.

n.e/NOA

KOMENTE