Shkodër, 9 mars, NOA - Në sherr e sipër, njërit nga gjashtë të rinjtë që ishin duke u konfliktuar në mes të Shkodrës i ka shkrepur pa dashje një pistoletë që kishte me vete, por për fat të mirë, policia ka ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes duke bërë kështu të mundur shmangien dhe parandalimin e një krimi.
Lajmi konfirmohet nga burimet policore të Shkodrës për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave ngjarja në fjalë ka ndodhur pikërisht në vendin e quajtur "Teatri Migjeni" në qytetin verior dhe si rezultat i ndërhyrjes policore, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i 24-vjeçarit Franc Hoti, banues i këtij qyteti.
Ndalimi i tij u bë pasi ai gjatë një konflikti për motive të dobëta me 19-vjeçarin me inicialet E.GJ., banues në Shkodër, ku u përfshinë edhe 4 persona të tjerë, Hoti ka shkrepur në mënyrë të pavullnetshme pistoletën të cilën e mbante pa leje.
Materialet në ngarkim të tij do t'i kalojnë prokurorisë së Shkodrës për veprat penale të "Kanosjes", "Prishjes së rendit dhe qetësisë publike" dhe "Armëmbajtes pa leje".
Ditën e djeshme, Shkodra u trondit nga një krim në qendër të saj, ku humbi jetën një 17-vjeçar gjatë një grindje me bashkëmoshatarin e tij.
n.e//NOA