English

"Playboy" vjen në Bodrumin e Metropolit

Tiranë, 9 Mars NOA/ Milena Selimi - "Playboy i trojeve tona" është premiera e re e Teatrit të Metropolit, e cila do të përurojë më datën 13 mars 2010 sallën më të re të tij, të quajtur BODRUM. Pothuajse dy vjet më parë jetës kulturore të kryeqytetit iu shtua një hapësirë e re, teatri i Bashkisë së Tiranës, Teatri i Metropolit. Ky teatër gjatë kësaj periudhe i është përmbajtur qëllimit të tij: si një "Far në anë të detit" ku ka drejtuar dhe tërhequr drejt vetes krijues, regjisore, aktorë të rinj, duke iu dhënë mundësinë të shprehin ndjesitë, aftësitë dhe dashurinë e tyre për teatrin.

Me këtë sallë të re teatrore ky teatër, e çon në dy numrin e sallave, duke i shtuar hapësirës teatrore të kryeqytetit më shumë ambiente për të sjellë vepra skenike.

Salla "Bodrum" ka 80 vende dhe është realisht një sallë black box. Kjo sallë është ndërtuar me fonde të Bashkisë së Tiranës. Qendra Metropol është institucioni artistik më i financuar në vend, përfshi këtu edhe institucionet kombëtare. Salla "Çehov", e krijuar vetëm dhjetë muaj më parë i ofrohet publikut me 120 vende, një sallë me standarde evropiane kontemporane; Në maj pritet të përfundojnë ndërtimet në sallën "Globus", e cila mendohet të jetë rreth 300 vende.

Këto salla të ndërtuara në Qendrën Metropol janë alternative dhe i largojnë shfaqjet teatrore të Metropolit nga teatri si paraqitje, duke krijuar një komunikim të gjallë në kohë reale. Sallat janë një hapësirë kryesisht për aktorët e rinj, të cilët gjejnë mundësinë të shfaqin aftësitë dhe energjinë e tyre krijuese në këtë Teatër të Ri.

Për publikun e kryeqytetit Salla BODRUM do të përurohet me komedinë "Playboy i trojeve tona", i autorit John Millington Synge, një pjesë me tre akte që zhvillohet në një fshat të vogël të Irlandës rreth viteve 1900.

"Playboy i trojeve tona" është një komedi me elemente satirike dhe tragjike. Synge do që audienca të qeshë me karakteret e tij, por gjithashtu do që audienca të verë re anën njerëzore të këtyre personazheve, gabimet dhe defektet e tyre.

Njerëzit që frekuentojnë tavernën e fshatit Flaherty kanë ngecur në një cep të Irlandës. Me përjashtim të Christy Mahon-Lulzim Zeqja, ata nuk bëjnë asgjë për të ndryshuar këtë gjë. Edhe Pegeen Flaherty-Marsela Lena, një femër e re dhe tërheqëse, e cila është plot fuqi shpirtërore e bën atë të distancohet nga jeta e errët rurale në fshatin Mayo.

Për herë të parë në skenën e teatrit shqiptar do të luhet teatri i komunikimit të gjallë, duke krijuar, ndoshta për herë të parë një formë te re të interpretimit skenik.

Aktorët e rinj që do të mbajnë peshën e këtij interpretimi do të përballen me sfidën e një teksti të vështirë, shkruar nga Synge, në mjeshtër i shkrimit të dialogëve të gjallë, të mbushur me ekzaltime dhe imagjinatë shumëngjyrëshe.

Komedia do të ketë një premierë zyrtare më datën 13 mars, ku pritet hapja e sallës së re BODRUM nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Z. Edi Rama, i cili është edhe mbështetësi kryesor i krijimit të Teatrit të Metropolit, ndërsa është menduar një shfaqje për median, personalitete të artit dhe kulturës më datat 11 dhe 12 mars 2010.

Nderi i gongut të parë të fillimit të shfaqjes do t'i takojë një artisti me emër, por që burime të brendshme brenda institucionit tregojnë se për momentin do të mbetet një surprizë për mediat dhe publikun.

Salla "Bodrum" ndërtohet për herë të parë në Shqipëri do të funksionojë për performanca kontemporane, eksperimentale dhe do te ndihmoje aktoret dhe regjisoret për zbulimin e zhanreve dhe rrymave te reja teatrore.

Teatri i Metropolit aktualisht i sjell publikut të kryeqytetit 6-8 shfaqje në javë, duke treguar se mundet të përballojë sfida dhe të përçojë energji dhe dinamikë në zhvillimet e sotme teatrore.

Risia me e fundit nga TM ka qenë hapja e Teatrit te Metropolit për fëmijë që çdo të shtunë dhe të diele në ora 10.30 u ofron te gjithë fëmijëve shfaqjen "Në ballon e luleve" dhe "Druvari i mirë".

Komedia, që do të përurojë sallën "BODRUM", Playboy i trojeve tona" pati debutimin e parë më 26 janar 1907 në teatrin Abbey në Dublin. Shoqëria Ndërkombëtare e Teatrit ishte producente e dramës dhe W.G. Fay ishte regjisori që interpretoi rolin e Christy Mahon.

Rebelime dhe protesta shoqëruan hapjen e performancës, pasi shumë kritikë të teatrit ishin shprehur se pjesa bazohej në steriotipin e Irlandezëve duke i treguar ata si pijanecë, mburravec ë e llafazanë.

Playboy i trojeve tona

Autor: John Millington Synge

Përktheu: Sesilia Plasari

Regjisor: Kiço Londo

Skena&Kostumet: Berina Kokona

Muzika: Linda në Botën e Çudirave

Me aktorët: Lulzim Zeqja, Florian Agalliu, Xhejni Fama, Marsela Lena, Besmir Bitraku, Redian Mullaj,Sesilia Plasari, Alban Musta, Ina Gjonçi, Adriana Tolka, Aida Bajraktari.

Vetëm 25 shfaqje nga 11 mars-18 prill 2010. Salla BODRUM në Teatrin e Metropolit. Ora 21.00

m.s/e.l/NOA Shkruajini autores: milenaselimi@noa.al

KOMENTE