Tiranë, 9 mars, NOA - Plot 790 gjoba janë vendosur vetëm gjatë ditës së djeshme nga Rrugorët e Tiranës ndaj drejtuesve të automjeteve për shkelje të rregullave të qarkullimit, duke hequr edhe 4 patenta të tyre.
Lajmi konfirmohet nga burimet policore të Tiranës për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, këto masa janë ndërmarrë në kuadrin e aksionit të iniciuar prej kohësh për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve.
Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj.
Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës.
Ndërkaq, policia Rrugore po vazhdon kontrollet ndaj atyre drejtuesve të mjeteve, të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimeve të tyre dhe i fton ata të paraqiten pranë çdo dege të Postës Shqiptare.
n.e/NOA