English

SHBA: Shisni ishujt dhe Akropolin

Në një shkrim në "Washington Post" analizohet arsyeja se përse populli gjerman refuzon të ndihmojë Greqinë në shlyerjen e borxheve. Gazeta e nis shkrimin me një citim të politikanëve gjermanë në Bild, ku ata thonë: "Pala e falimentuar duhet të bëjë gjithçka për sigurimin e parave dhe për t'i shlyer kreditorët e saj. Objektet greke, kompanitë dhe disa ishuj të pabanuar, duhet të përdoren për t'i shlyer borxhet".

Këto deklarata, sipas "Washington Post" tregojnë qartë se gjermanëve u ka ardhur në majë të hundës, duke paguar faturat e çdokujt në Evropë. Populli gjerman kundërshton t'i shpëtojë grekët, si dhe kërkesën universale të mbushjes së vrimës së deficitit grek në emër të "Bashkimit Evropian". Dhe, për herë të parë, ata po e thonë këtë gjë me zë të lartë. Sipas "Washington Post", në shkrime nuk kërkohet vetëm shitja e Akropolisit.

Gazeta "Frankfurter Algemeine Zeitung" shkruan se, ndërsa grekët protestojnë për rritjen e moshës së pensionit nga 61 në 63 vjeç, Gjermania aktualisht e ka rritur nga 65 në 67 vjeç. "Mos kjo do të thotë se në të ardhmen gjermanët duhet të punojnë nga 67 në 69 vjeç, që grekët të mund të shijojnë pensionin?" "Uashington Post" shkruan se pas kësaj erdhi dhe ankesa e një ministri grek në BBC, i cili tha se "nazistët morën arin grek në bankat greke, morën paratë greke dhe kurrë nuk i kthyen". Kryetari i Bashkisë së Athinës kërkoi 70 miliardë euro për dëmin e bërë nga nazistët gjatë luftës, thuhet në "Uashington Post". Ndërsa, organizatat e konsumatorëve në Greqi, në shenjë mosmirënjohjeje ndaj ndihmës gjermane dhe si përgjigje ndaj kërkesës evropiane për të prerë buxhetin, kanë bërë thirrje për bojkot të produkteve gjermane. Gjermanët, thuhet në "Uashington Post", para së gjithash, kanë paguar për Bashkimin Evropian jo vetëm në monedhë, por dhe në subvencionet bujqësore, asistenca për vendet e varfra, autostradat në Spanjë dhe Irlandë dhe pa u ankuar. Por, pse pikërisht tani taksapaguesit gjermanë po ankohen për grekët? Sipas "Uashington Post", kjo lidhet me atë që Gjermania ende ka ndikim nga recesioni. Papunësia është e lartë dhe koalicioni i ri qeverisës është betuar t'i zvogëlojë shpenzimet. Nëse gjermanët nuk duan t'i ndihmojnë të tjerët në këtë moment, veçanërisht grekët, që u duhet të shijojnë pensionin në një moshë më të re se ata vetë, atëherë nuk kanë pse fajësohen, thuhet në "Uashington Post". Ndërsa, sa i përket detyrimit të Gjermanisë ndaj Evropës për shkak të luftës, atje, thuhet në "Uashington Post", po jeton një brez që nuk ka më kujtime lufte. Debati historik i Gjermanisë është i fokusuar tashmë në fatin e gjermanëve që vuajtën nga koha e bombardimeve dhe deportimet pas luftës, dhe jo në fatin e viktimave të shkaktuara nga nazistët në Greqi apo diku tjetër. Herët apo vonë, gjermanët do të vendosin bashkërisht se kanë bërë boll sakrificë dhe se borxhi ndaj Evropës është shlyer. Në saje të grekëve përbuzës me vila në ishuj dhe me pensionet e tyre të mëdha, kjo ditë do të vijë më shpejtë sesa e kemi menduar, thuhet në "Uashington Post".

KOMENTE