English

Thaçi: Serbët s'i integrojmë me dhunë

Prishtinë, 9 Mars NOA - Kosova nuk do t'i detyrojë serbët në veri që të integrohen, por do të synojë t'i nxitë që të bëhen pjesë e shtetit përmes stimuleve dhe investimeve, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi. "Nuk do të ketë dhunë apo veprime të njëanshme, por vetëm dialog dhe bashkëpunim", tha ai për agjencinë Reuters. "Gjithçka do të koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare, NATO-n dhe institucionet tjera ekonomike", ka shtuar kreu i ekzekutivit kosovar.

Ai ka thënë se planifikon të marrë pjesë në takimin rajonal në Slloveni, dhe se do të mund të takohej edhe me presidentin serb, Boris Tadiç. "Nuk kam dilema dhe nuk ngurroj t'i jap dorën asnjë udhëheqësi, i cili është zgjedhur në mënyrë demokratike, përfshirë Tadiqin. Ne jemi udhëheqës, duhet ta lëmë pas të kaluarën dhe të fokusohemi në të ardhmen", tha Thaçi." Ai gjithashtu e ka mirëpritur thirrjen e djeshme të përfaqësuesit të BE-së, Piter Feith, për të hequr zyrtarët e korruptuar nga pozitat e larta të qeverisë së Kosovës. "Është një sëmundje që e kemi trashëguar. Nuk do të ketë kompromise, kudo që ka korrupcion, ai do të luftohet", ka thënë Thaçi, i cituar sot nga RFE.

KOMENTE