Ankara, 9 Mars NOA - Gjatë punimeve të Samitit Botëror në Ankara "Të drejtat e gruas lidhin lindjen me perëndimin", Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli zhvilloi takime me personalitete turke, ministre e deputete, si dhe me figura të njohura parlamentare nga vende te ndryshme të pranishme në këtë konferencë.
Në takimin që pati me homologen e saj të Pakistanit, Fahmida Mirza, u theksua se të drejtat e grave duhet të vendosen si prioritet në axhendën e parlamenteve, duke e konsideruar këtë si një çështje të demokracisë.
Të dyja lideret ishin të një mendimi për një rol më aktiv të diplomacisë parlamentare në funksion të promovimit të çështjeve te barazisë gjinore.
Kryeparlamentaret nënvizuan se miqësia dhe dialogu midis tyre duhet të gjejë shprehje edhe në zgjerimin e marrëdhënieve midis dy parlamenteve nëpërmjet shkëmbimit të vizitave dhe përvojave në të gjitha nivelet parlamentare.
Kryetarja e Parlamentit të Pakistanit Mirza vleresoi me kënaqësi se midis dy vendeve ekzistojnë lidhje miqësore, që duhen shtrirë.
Ajo u shpreh se pret me shumë dëshirë të vizitojë Shqipërinë, si e ftuara e Kryetares së Parlamentit, si edhe t'i urojë mirëseardhjen Kryeparlamentares shqiptare në vendin e saj.
e.r/NOA