English

Traktati i Atlantikut mblidhet në Tiranë

Tiranë, 9 Mars NOA - Kryeministri Sali Berisha priti sot Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut Troels Froling dhe konfirmoi mbështetjen për organizimin e Asamblesë se Përgjithshme të saj në Tiranë, në vjeshtë të vitit 2010.

Shoqata e Traktit të Atlantikut të Veriut, është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare e themeluar më 18 qershor 1954, për të mbështetur misionin e NATO-s përmes ndërgjegjësimit dhe mbështetjes së opinionit publik ndërkombëtar ndaj vlerave te përbashkëta Euroatlantike që përkrah dhe mbron NATO-ja.

Shoqatat e vendeve anëtarë të kësaj organizate ndërkombëtare të Atlantikut kanë në radhët e tyre personalitete të shquar të politikës, jetës akademike, shoqërisë civile dhe të tjerë, të më shumë se 42 vendeve.

Berisha vlerësoi punën dhe kontributin e Shoqatës së Traktatit të Atlantikut (ATA) për informimin e publikut dhe promovimin e vizionit për paqen, sigurinë globale dhe vlerave të lirisë e demokracisë, që mbron Aleanca e Atlantikut të Veriut.

Kurse Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Traktatit të Atlantikut, Troels Froling, e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe në veçanti i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Berisha për mbështetjen që qeveria shqiptare, po i jep organizimit të Asamblesë së Përgjithshme të 56-të të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut në Tiranë, në vjeshtë të vitit 2010.

Në këtë ngjarje të rëndësishme pritet të marrin pjesë zyrtarë të lartë të NATO-s, personalitete të shquar nga 42 vendet anëtare e partnere të NATO-s që janë anëtarë të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut, duke përfshirë edhe personalitete të larta politike të vendeve të rajonit tonë të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri e falënderoi z. Troels Froling për mbështetjen që Shoqata e Traktatit të Atlantikut ka dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

e.r/NOA

KOMENTE