English

Vjedh celularë në një dyqan, i shet te tjetri

Tiranë, 9 Mars NOA - Nga një dyqan në tjetrin, jo për të blerë si gjithë njerëzia, por për të vjedhur te njëri dhe shitur te tjetri. Këtë ka bërë një djalë 25 vjeçar në Tiranë, duke shënuar kështu një tjetër ide "novative" për hajdutët që janë shtuar shumë kohët e fundit në kryeqytet.

Megjithatë, "aneksi" i ri i profesionit të zgjedhur, nuk ka patur jetëgjatësi për të riun nga Tirana Klodjan Agim Halili, pasi dje në mesditë u realizua arrestimi i tij në flagrancë.

Burime zyrtare policore i thanë agjencisë NOA se djaloshi hajdut, pesë ditë më parë ka shkuar në rrugën "4 Shkurti" në Tiranë dhe ka vjedhur dy telefona celularë në dyqanin në pronësi të një shtetasi.

Me të dalë nga ai dyqan, ka rendur te tjetri, dhe pikërisht tek një dyqan në vendin e quajtur "21 Dhjetori" ku dhe ka shitur celularët e vjedhur në mënyrë ende të mistershme.

Policia tha se pas denoncimit të bërë nga pronari i dyqanit të shitjes dhe servisit të celularëve tek rruga "4 Shkurti", ka nisur kërkimet dhe ka arritur të kapë të dyshuarin Klodjan Halili.

Pasi e ka marrë në pyetje, ka arritur të zbardhë dhe ku shkuan celularët dhe dy agjentë të hetimit kanë shkuar te dyqani i "21 Dhjetorit" ku u bllokuan e sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Policia tha se materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të Halilit, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

e.r/NOA

KOMENTE