English

Zyrtari i BERZH: Kriza greke do t'ju prekë

Bruksel, 9 mars, NOA - Një ekonomist i lartë në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë se në kundërshtim me mendimin e përgjithshëm se kriza ekonomike globale nuk do të ndikonte aq rëndë në vendet e Evropës Juglindore, u pa qartë se ky rajon pësoi një tronditje të madhe.

Peter Sanfey thotë në një intervistë për BBC se Shqipëria duket se e ka kaluar relativisht e paprekur krizën, duke arritur rritje ekonomike pozitive në vitin 2009, ndryshe nga ekonomi më të fuqishme të rajonit, si p.sh Rumania.

Por për të ardhmen, Sanfey ofron optimizëm të kujdesshëm dhe paralajmëron për mundësinë që vorbulla e krizës ekonomike në Greqi të përfshijë edhe vendet fqinje, veçanërisht Shqipërinë, për shkak se shumë kompani e banka greke janë aktive në vend, dhe sidomos për shkak të numrit të madh të emigrantëve dërgimi i remitancave të të cilëve pritet të bjerë.

Z.Sanfey, ju shkruani se Evropa Juglindore u shokua nga kriza ekonomike globale. Po ju si krye-ekonomist i BERZH-it, a u shokuat?

- Po, edhe unë u shokova në fakt. Jo vetëm rajoni, por edhe vëzhgues të jashtëm si puna ime. Deri në mesin e 2008-ës, ne e dinim se kishte një lloj ngadalësimi ekonomik, por nuk i pamë përmasat e plota të krizës. Vetëm nga tremujori i fundit i 2008-ës ne u ndërgjegjësuam se i tërë rajoni do të goditej shumë fortë si shumica e tregjeve të reja. Ka qenë një mësim i trishtueshëm për të gjithë ne, që ndjekim zhvillimet në atë rajon.

Si do ta cilësonit ju reagimin e Evropës juglindore ndaj kësaj krize ekonomike?

- Mendoj se rajoni ka reaguar goxha mirë dhe në mënyrë të maturuar. Nëse shikon se si kanë reaguar qeveritë, bankat qendrore, qoftë edhe si kanë reaguar njerëzit e zakonshëm, mendoj se kanë reaguar shumë mirë. Ka qenë një kohë shumë e vështirë për rajonin. Në 2009-ën në rajon, GDP mesatarisht ka rënë në afro 6 për qind, papunësia dhe varfëria është rritur, firmave u është dashur të flaknin njerëzit nga puna. Pra, të gjitha këto gjëra i kanë goditur rëndë njerëzit. Ata e kanë kuptuar se kjo ka qenë një krizë globale dhe jo e lidhur vetëm me vendet e tyre. Qeveritë kanë kuptuar se kanë një kufi se deri ku ato mund të veprojnë, si dhe e kanë kuptuar që duhet të përqendrohen në ato lloj reformash, që kishin filluar gjatë dekadës paraardhëse.

Si e shihni ju rastin e Shqipërisë, pasi ju shkruani, se ky vend i është shmangur krizës relativisht pa u prekur dhe arriti të shënojë rritje pozitive gjatë 2009-ës. Ku i shihni ju si kryeekonomist i BERZH-it, arsyet e një performance të tillë ekonomike?

- Mendoj se kjo reflekton dy faktorë. Natyrisht, Shqipëria nuk është se i është shmangur totalisht krizës, por duket se është prekur më pak nga shumica e vendeve të tjera në rajon. Në një farë mase, kjo reflekton faktin se Shqipëria nuk është aq e integruar në tregjet rajonale dhe globale, sa janë disa ekonomi të tjera të rajonit. Po ashtu, Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë gjashtë 10 apo 15 viteve të fundit sa i përket instalimit të institucioneve më të mira dhe më të forta. Ka pasur politika makroekomike të përgjegjshme, të forta dhe të kujdesshme si dhe politika monetare dhe ekonomike të tilla, dhe këto po japin rezultate kur vjen puna tek ritmet e rritjes ekonomike.

Sa nga kjo shmangie relative e Shqipërisë nga efektet e krizës ekonomike, i dedikohet faktit që ekonomia shqiptare nuk është aq e globalizur apo integruar, siç thoni ju, dhe sa u dedikohet politikave ekonomike të qeverisë?

- Mendoj se është një përzierje e të dyjave. Nuk është e lehtë të ndash dhe të thuash sa i dedikohet njërit faktor dhe sa i dedikohet faktorit tjetër. Në Shqipëri si edhe gjetkë, ka një kufi veprimi për qeveritë, për të nxitur rritjen ekonomike. Por ajo që mund të bëjnë ato është krijimi i kushteve të nevojshme, kur vjen fjala për menaxhim e duhur në fushën fiskale, plus që bankat qëndrore kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur për mbajtjen ulur të inflacionit. Dhe mendoj se ata e kanë bërë këtë shumë mirë.

A mendoni se rasti i Shqipërisë së paprekur nga kriza, do të ndryshojë tani e tutje, nisur nga problemet e mëdha ekonomike të Greqisë, të cilat në një mënyrë mund të ndikojnë për keq tek remitancat e ardhura nga emigrantët shqiptarë në drejtim të Shqipërisë?

- Ky është rreziku. Dhe ky është ai element që ne e theksojmë në raportin e bankës sonë. Duhet të presim se si do evoluoje situata në Greqi. Nuk dua të bëj ndonjë parashikim se çfarë mund të ndodh në Greqi. Ne të gjithë po presim se çfarë rruge do të marrin zhvillimet në atë vend.

Si krye-ekonomist në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, cila do të ishte këshilla juaj në një situatë të këtillë?

- Nuk ka shumë hapësirë veprimi. E nëse ka një rënie ekonomike në vendin fqinj, mirë është të përpiqesh t'i qëndrosh larg sa më shumë që të kesh mundësi.

Por unë mendoj se Shqipëria dhe vendet e tjera në rajon duhet të fokusohen në të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë, në sensin se si të avancojnë reformat strukturore, të përafrohen më shumë me Bashkimin Evropian, si të aplikojnë politika më konkuruese dhe si të zhvillojnë potencialet e vendit.

BBC

KOMENTE