"Presidenti Medvedev duket se është xheloz për ish-shefin e tij, Vladimir Putin. Ky i fundit ka pasur dhe vazhdon të ketë raporte të ngushta me ish-kancelarin Shrëder, me ish-presidentin francez, Shirak, dhe me kryeministrin aktual të Italisë, Silvio Berluskoni"
Nga "Wall Street Journal" Presidenti rus, Dimitri Medvedev, gjatë vizitës së tij treditore në Paris, javën e kaluar, deklaroi një partneritet të ri strategjik me Francën. Partneriteti i ri është shoqëruar me marrëveshje në fushën e armatimit, të energjisë dhe tregtisë. Të gjitha këto janë bërë nën frymën e lulëzimit të marrëdhënieve personale mes presidentit Medvedev dhe atij francez, Sarkozi. Por, ky afrim franko-rus e ka një çmim për sigurinë evropiane. Duket sikur historia përsërit veten. Lidhjet historike mes Rusisë dhe Francës fillojnë që para Luftës së Parë Botërore, kur dy vendet nënshkruan një marrëveshje për të mbajtur nën kontroll Gjermaninë. E njëjta u përsërit dhe në prag të Luftës së Dytë Botërore, kur Franca dhe ish-Bashkimi Sovjetik nënshkruan paktin për të mbajtur në vëzhgim Gjermaninë naziste, që po armatosej. Më pas, ky pakt u zgjerua dhe me Britaninë, çfarë çoi në marrëveshjen e Mynihut, të vitit 1938, e ku Çekosllovakia u la nën mëshirën e Hitlerit. Stalini vendosi të përfshinte dhe Britaninë në pakt, pasi e cilësonte Francën si partner jo shumë të besueshëm. Edhe sot Gjermania figuron në llogaritë e Francës me Rusinë. Franca synon që të arrijë Gjermaninë, e cila ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me Rusinë. Ndërkaq, shqetësimet e ardhura nga vende të tjera anëtare të NATO-s, veçanërisht nga ato që dikur ishin pjesë e bllokut ish-komunist, duken të parëndësishme për Parisin. Derisa në Francë, motivi për këtë shtyrje përpara të marrëdhënieve me Rusinë qëndron në frikën se mos mbetet pas krahasuar me fqinjin e saj - Gjermaninë, në Moskë arsyet janë më të brendshme. Presidenti Medvedev duket se është xheloz për ish-shefin e tij, Vladimir Putin. Ky i fundit ka pasur dhe vazhdon të ketë raporte të ngushta me ish-kancelarin Shrëder, me ish-presidentin francez, Shirak, dhe me kryeministrin aktual të Italisë, Silvio Berluskoni. Deri tani, marrëdhëniet personale dhe marrëveshjet fitimprurëse të biznesit në Rusi ishin të rezervuara për Putinin. Por, marrëdhëniet e reja Medvedev-Sarkozi duket sikur lajmërojnë daljen nga hija të shefit aktual të Kremlinit. Mbetet të shpresojmë se presidenti francez, Sarkozi, do ta përdorë këtë miqësi për të marrë mbështetjen e Moskës për sanksione shtesë ndaj Iranit, të sigurohet integriteti i Gjeorgjisë dhe të respektohet shteti ligjor në Rusi. Parisi duhet ta ketë parasysh se përfitimet në marrëdhëniet me Rusinë nuk duhet të bëhen në kurriz të demokracive të reja të Evropës qendrore e lindore.