Tiranë, 10 mars, NOA - Kryeministri Sali Berisha mblodhi sot grupin e studimit për marrjen e masave për mbrojtjen e zonës bregdetare nga erozioni detar. Studimi do të përfshijë zonën bregdetare nga Velipoja deri në Nartë. Ai do të evidentojë gjendjen e vijës bregdetare dhe në mënyrë të veçantë plazhet.
Vendimi është marrë pas shqetësimeve për rritje të erozionit detar, i cili dëmton drejtpërdrejtë aktivitetet ekonomike, turistike.
Kryeministri Berisha, në një takim me disa ministra të kabinetit, si dhe me shkencëtarë të fushës përkatëse nga Universiteti Politeknik dhe Akademia e Shkencave organizoi një diskutim dhe shtroi detyrën për të ndërmarrë një studim të menjëhershëm, konkret dhe multidisiplinor. Në përfundim të takimit u ra dakord që të kryhet një studim, ku çështjet kryesore ku do të përqendrohet studimi do të jenë, evidentimi i gjendjes aktuale të vijës bregdetare dhe ndryshimet që ka pësuar ajo në dekadat e fundit.
Pika e dytë e studimit është dhënia e rekomandimeve për masat dhe ndërhyrjet eventuale që mund të ndërmerren duke përcaktuar ku, dhe kur (sipas rendit prioritar), për të frenuar veprimin e erozionit detar.
Studimi do të përcaktojë dhe koston financiare të ndërhyrjeve e shtrirë në kohë dhe hapësirë sipas rendit prioritar, në segmente të veçanta të plazheve, si dhe kostoja totale për një ndërhyrje të gjerë dhe të plotë.
Për studimin e erozionit detar dhe për të përcaktuar masat që duhet të ndërmerren ndaj tij, Kryeministri urdhëroi ngritjen e një grupi studimor në përbërje të të cilit do të jenë ministra, shkencëtarë nga Universiteti Politeknik, Akademia e Shkencave dhe kabineti i Kryeministrit.
Në zbatim të këtij urdhri, ministritë, institutet shkencore dhe të gjithë institucionet e tjera shtetërore, do të venë në dispozicion të grupit të studimit, ekspertet më të kualifikuar që lidhen me këtë fushë, si dhe të dhënat dhe studimet e nevojshme disponibël, të cilat mund t'i shërbejnë kryerjes në kohë dhe cilësi të studimit.
m.xh/NOA