Tiranë, 10 mars, NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaroi sot se abuzimet me faturuat e energjisë elektrike vazhdojnë dhe për muajin shkurt. "Sot u detyrova të paguaj faturën e dytë të energjisë elektrike për këtë vit, ashtu siç mijëra shqiptarë që janë korrekt me ligjin dhe kompaninë që ofron këtë shërbim publik Fatura e dytë e energjisë, tashmë konfirmon publikisht: vjedhjen ndaj 1 milion konsumatorëve shqiptarë, përmes çmimit të rritur të energjisë", u shpreh Braçe.
Ai theksoi se çmimi i rritur nuk kompensohet. "Pra fatura e shkurtit nuk ka kthyer mbrapsht asnjë qindarkë të vjedhur në muajin Janar", u shpreh Braçe.
Ai theksoi se këto para shkojnë në arkën e shtetit duke qenë se abuzimet e qeverisë e kanë boshatisur atë.
"Rritja e çmimit të energjisë elektrike ka sjellë si pasojë, rritje të vlerës së faturës së energjisë me gati 30-40%! Pra, çdo familje po paguan prej dy muajsh 30-40% para më shumë për të njëjtën sasi energjie të konsumuar. Kjo rritje është shumë më e madhe se inflacioni 4.4%, apo dhe se rritja e çmimit të energjisë prej 13%", u shpreh Braçe.
Nisur nga të gjitha këto abuzime braçe ka theksuar se qytetarët duhet të reagojnë duke protestuar në rrugë.
"Shteti ka dalë nga binarët e ligjit dhe funksionalitetit, Qeveria po dhunon qytetarët dhe nuk ka më frikë nga populli! Ne nuk kemi asgjë më pak se qytetarët e Spanjës apo Greqisë. Në Greqi njerëzit janë në rrugë se po humbin pagën dhe pensionin e 14-të, kurse në Shqipëri qytetarët, përmes zhvlerësimit të lekut, inflacionit real, po humbin pagën dhe pensionin e 9-të duke grabitur në ekstrem paratë e familjes!", u shpreh Braçe
Sipas tij "kush mendon se kur del në rrugë i shërben partisë së tij gabon; duhet dalë në rrugë për t'i dalë zot familjes së tij!".
m.xh/NOA