Prishtinë, 10 Mars NOA - Ministri i Ekonomisë dhe Financave z. Ahmet Shala së bashku me përfaqësuesit e USAID-it dhe ShKAÇK sot bënë certifikimin e 41 shërbyesve civil si zyrtar financiar. Këta shërbyes civilë në mënyrë të suksesshme kanë përfunduar Programin e Certifikimit në Menaxhimin e Financave Publike të zhvilluar nga ShKAÇK (Shoqata e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Certifikuar të Kosovës).
Gjatë kësaj ceremonie, Shala tha se "Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka nisur këtë program certifikues me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale të zyrtarëve financiar në Qeverinë e Kosovës".
Ai ndër te tjera ka sqaruar se kursi ka pasur të bëjë me trajnim intensiv për secilin zyrtar financiar, të cilëve u është dashur të kalojnë provimin në mënyrë që ata të certifikohen.
Programi trajnues dhe certifikues do të zhvillohet përgjatë periudhës tre vjeçare në Lëndët e trajnimit janë: Planifikimi dhe Buxhetimi, Parimet e Kontabilitetit, Sistemi Informativ i Menaxhimit Financiar në Kosovë (SIMFK) si dhe Raportimi dhe Auditimi Financiar në Sektorin Publik.
Kurikula për trajnim ishte hartuar nga MEF dhe ShKAÇK me asistencën teknike të USAID-it. Patricia Rader, Drejtoreshë e Misionit të USAID-it në Kosovë gjate fjalës së sajë shprehi edhe njëherë përkrahjen e USAID-it sa i përket ngritjes se kapaciteteve ne institucione e Kosovës.
Ndërsa ministri Shala tha se "rezultatet e pastra të auditimit për pasqyrat financiare qeveritare në vitin 2008 të përgatitura nga Thesari janë indikacion i cilësisë së sistemeve ekzistuese të kontabilitetit dhe raportimit publik, kështu që ne dëshirojmë të ndërtojmë një sistem me te avancuar duke ofruar trajnime për të gjithë zyrtarët financiar në tërë Qeverinë e Kosovës".
Shtatë grupet e para të kandidatëve kanë ardhur nga organizatat qendrore buxhetore (ministritë), ndërsa gjatë vitit 2010 këto trajnime do te vazhdojnë me personelin financiar nga komunat, spitalet rajonale dhe institucionet e shëndetit mendor. Kurse zyrtarët nga komunat e reja do të fillojnë trajnimet në javët vijuese.
a.b/NOA