English

Gyl Topallit: E meritoni integrimin në BE

Tiranë, 10 mars, NOA - Turqia inkurajon ambicjen e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Europian, sikurse mbështeti fort anëtarësimin e saj në NATO, pasi e meriton integrimin falë reformave pozitive të kryera nga qeveria e saj.

Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl, gjatë një takimi që zhvilloi me kryeparlamentaren Jozefina Topalli.

Duke përshëndetur ecurinë dinamike të marrëdhënieve të gjithanshme midis dy vendeve tona, Gyl tha se Shqipëria e meriton anëtarësimin në BE.

Nga ana e saj, Topalli vlerësoi se këto katër vitet e fundit kanë qenë vitet më vendimtare në historinë demokracisë.

"Sot Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, me treguesit ekonomike më pozitivë, që shmangën prekjen nga kriza financiare botërore, ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave brenda këtij viti dhe ka përfunduar tashmë rreth 95 përqind të pyetësorit të Komisonit Europian, për të fituar statusin e vendit kandidat në BE", u shpreh ajo.

Ndërsa lidhur me ecurinë njohjes së pavarësisë së Kosovës, të dy bashkëbiseduesit ishin të një mendimi se procesi ka hyrë në rrugë të mbarë dhe të pakthyeshme. Presidenti Gyl u shpreh se Turqia është e vendosur të mbështesë çështjen e pavarësisë së Kosovës. Më tej, presidenti Gyl dhe kryetarja e Kuvendit shprehën kënaqësinë e tyre se midis dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe një bashkëpunim në rritje në investime, në shkëmbime tregtare, në fushën ushtarake, në arsim dhe në mjekësi.

n.e/NOA

KOMENTE