Nga Blerina Ahmetaj
Tiranë, 10 mars, NOA - Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale do të ndryshojë mënyrën e vlerësimit për personat me aftësi të kufizuar.
Ministri Spiro Ksera ka premtuar se dikasteri i tij do të intesifikojë punën për hartimin dhe zbatimin e politikave sociale me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së personave me aftësi të kufizuara.
Sipas Kserës, kjo do të ndihmojë në gjithë përfshirjen e kësaj kategorie për një jetë të plotë dhe aktivitete do të përmirësojë mënyrën e vlerësimit të aftësisë së kufizuar nga modeli mjekësor drejt atij social, duke përfshirë profesionistë socialë në vlerësim.
Një tjetër hap që do të ndërmarrë ministria, është rritja e informimit për personat me aftësi të kufizuar dhe familjarët e tyre; përmirësimi i ofrimit të shërbimeve në komunitet për personat me aftësi të kufizuar, etj.
Ministria e Punës ka deklaruar se që nga viti 2005, ka rritur mbështetjen financiare me mbi 50% për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuar.
Për vitin 2009, me fondet buxhetore u trajtuan 128.876 persona të paaftë dhe kujdestarët e tyre dhe për vitin 2010, është programuar një fond prej 11.442 miliard lekë, ose 24% më shumë se në vitin 2009.
Prioritet për vitin 2010 është rritja e numrit dhe llojshmërisë së shërbimeve komunitare me standarde të garantuara për këtë kategori, nëpërmjet rritjes së fondeve buxhetore.
b.a/n.e/NOA