English

Kënga Qytetare, festival në Elbasan

Më 11-12 Mars 2010, në Elbasan zhvillohet edicioni i 10- të i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Qytetare. Elbasani është qyteti organizator i shtatë edicioneve të Këngës Popullore Qytetare

Elbasan, 10 Mars NOA - Në prag të Ditës së Verës, Elbasanit i shtohet një tjetër festë: Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Qytetare. Elbasani mbledh ketë festival në edicionin e 10-të dhe rëndësia e këtij aktiviteti artistik shtohet edhe më tepër.

Dr.Fejzulla Gjabri, Përgjegjës i Sektorit të Letërsisë në QKVF tha sot se përgatitjet në gjitha qendrat kulturore kanë filluar me kohë dhe po vëzhgohen nga afër nga grupet e specialistëve për përzgjedhjen e materialeve që do paraqiten në konkurrim.

***

Qyteti i Elbasanit njihet për bukurinë e këngës qytetare dhe përcjelljen e saj ndër breza. Që më vitet 1850 është fillesa e këngës qytetare, kur filluan të mblidheshin ndër festa e këndonin jo vetëm në qytet, por edhe në rrethina.

Emërtimi i parë i këtyre këngëve ishte "Këngë të vjetra". Më së miri këto këngë i përcolli Isuf Mëzyri në fillim të shekullit 20-të dhe pas tij vëllezërit Zena, që vunë themelet e Këngës Popullore Qytetare në Elbasan dhe në Shqipërinë e Mesme si dhe Albert Tafani, Suzana Qatipi, Zeliha Sina, Flutura Hida, Mustafa Mehja e shumë të tjerë. Në qytetin e Elbasanit është edhe fillesa e festivaleve të këngës qytetare.

Organizimi

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, organizatore dhe menaxhuese e festivaleve folklorike tipologjike kombëtare, tashmë ka një përvojë mbi 15-vjeçare në ketë drejtim. Në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit, janë marrë masat paraprake që Festivali të jetë në nivelin e duhur artistik, në arritjen e synimeve të aktivitetit.

Pranë QKVF u mblodh Komiteti organizator i Festivalit të Këngës Qytetare dhe ftoi të gjitha qendrat kulturore pranë bashkive të vendit në konkurrim, si dhe grupe të ftuara nga Ulqini, Gjakova etj.

Qëllimi i këtij festivali, siç u tha në ketë mbledhje është shpalosja e vlerave të këtij zhanri të muzikës tonë popullore, ruajtja nga deformimet, si dhe evidencimi i artistëve të rinj dhe krijimeve të reja.

Tryeza: Vlerësimi i krijimtarisë

Këtij qëllimi i vlen edhe Tryeza me specialistë e drejtues të qendrave kulturore, artistë e studiues të folklorit. Për ketë është përcaktuar tema rreth se cilës do diskutohet.

Nga specialistë të muzikës është parë që shpesh krijimet me autorë jepen si krijime anonime, duke bërë me ose pa dashje një përzierje me zhanre tjera të këngës.

Pikërisht rreth këtyre çeshtjeve e të tjera probleme organizative do diskutohet në ketë tryezë. Tema është përgatitur nga përgjegjësi i Sektorit të Muzikës në QKVF, Eduart Nurka.

Gjithashtu ketë vit Orkestra e Elbasanit mbush 105 vjet nga krijimi i saj. Planifikimi i një teme për rrugën e Orkestrës me zë të Elbasanit e ndër më të njohurat e vendit, do shtojë interesimin e auditorit për njerëzit e artit tonë popullor. Tema i është besuar z. Astrit Lopari, drejtor i shkollës artistike "Onufri" në Elbasan.

Kundër deformimeve

Jo më kot shënuam dhe diskutimet për deformimet në muzikë. Shumë studiues e njerëz të artit tonë i mëshojnë fort ruajtjes së origjinalitetit të këngës sonë Edhe kënga popullore qytetare duket se nuk u shmanget deformimeve e përzierjeve me elemente të huaja. Ka edhe këngëtarë të dëgjuar që mbajnë anën e huazimeve dhe ka raste që u bie erë sllave, greke, turke etj.

Ndonjë dukuri e tillë është parë edhe në edicionet e kaluara të festivaleve tona, ndonëse shumica e grupeve sollën me të vërtetë vlera të pamohueshme të traditës së këtij zhanri. Shembulli më i mirë është Shkodra, Elbasani, Kavaja etj, që në çdo edicion sjellin elemente të reja si në krijimtari edhe në këngëtarë.

Por, nga ana tjetër, disa këngëtarë të mirënjohur e me përvojë, ahengu dasmor i ka kthyer në komercialë, nisur nga mendimi "kështu e do puna".

Por çdo krijim popullor është i lidhur me identitetin tonë. Këtë pasuri kombëtare na e kanë trashëguar me mund, po falas në formë dhurate breza artistësh. Në traditën shqiptare dhurata nuk shpërdorohet, por mbrohet, ruhet, restaurohet brenda origjinalitetit, përdoret e ekspozohet me krenari e respekt.

"Pikërisht për këtë, ne nuk mund të ndjehemi mirë kur shohim deformime të papranueshme në këngë, veshje, në valle, në interpretime të dobëta etj", - thotë Lopari. Ai thekson se në emër të komercializmit shkelet me të dyja këmbët në normat tradicionale artistike kombëtare.

Sipas Loparit, cënimi i secilit prej tyre përbën shkelje dhe të parët që duhet të reagojnë janë institucionet shtetërore, studiuesit, botuesit e drejtues të kulturës.

Ka shumë studiues e drejtues institucionesh që flasin kundër dukurisë së denatyrimit, bile ndonjëri shpreh mllef kundër atyre që deformojnë muzikën tonë kombëtare.

Pikërisht këto probleme do jenë në tryezën e diskutimeve me studiues, drejtues e artistë, pjesëmarrës në festival. Synimi mbetet që të ngjiten në skenë vlerat e vërteta për të shmangur antivlerat, disa herë edhe të qëllimshme.

a.k/e.l/NOA

KOMENTE