Tiranë, 10 mars, NOA - Nesër në mjediset e Akademisë së Arteve në Tiranë, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë koncertin e radhës të edicionit të 10 të sezonit koncertor ndërkombëtar "Klasik". I organizuar me mbështetjen e kompanisë celulare "Vodafone Albania" e nën kujdesin e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë si dhe Akademisë së Arteve, "Klasik" do të sjellë për të gjithë artdashësit një koncert me muzikë tradicionale egjiptiane nën interpretimin e grupit folklorik egjiptian "El Beheira", i cili do të performojë për publikun shqiptar pjesë nga repertori i pasur i muzikës tradicionale egjiptiane.
Dihet se "Vodafone Albania" mbështet vazhdimisht aktivitete të ndryshme artistike dhe kulturore në vend dhe ky do të jetë njëri prej tyre.Grupi i lartpërmendur është formuar në vitin 1964 dhe përbëhet nga 60 artistë kërcimtarë, muzikantë dhe këngëtarë, të cilët performojnë muzikë tradicionale nga të gjitha rajonet e Egjiptit. "El Beheira" ka marrë pjesë në shumë evente kombëtare dhe ndërkombëtare si në festivalet e Bashkimit Sovjetik (1969-1970), Kuvajtit (1971), Sudanit (1978), Turqisë (1993, 1995, 1998), në edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar Varmia ku fitoi çmimin e nderit etj.
Ky grup folklorik përfaqëson denjësisht në rang kombëtar dhe ndërkombëtar shpirtin e pasur të folklorit egjiptian si edhe traditën e kostumeve të rajoneve të ndryshme të këtij vendi.
Bëhet me dijeni se pas koncertit të mbrëmjes së nesërme në Tiranë, "El Beheira" do të performojë në teatrin "Vaçe Zela" të Lushnjës.
n.e/NOA