Shkup, 10 mars, NOA - Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi, thotë për BBC-në se për shkak të mungesës së dialogut politik, deputetët e kësaj partie opozitare do të vazhdojnë të mos marrin pjesë në punën e parlamentit, me gjithë këmbënguljen e faktorit ndërkombëtar. Duke ofruar një marrëveshje të re maqedono-shqiptare, kreu i kësaj partie thotë se pa përcaktimin e statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve, vështirë se mund të ketë perspektivë në Maqedoni.
Z.Thaçi, cilat janw bisedoi Seladin Xhezairi dhe fillimisht e pyeti se cilat ishin vlerësimet e tij për zhvillimet e fundit në Maqedoni që kanë çuar në tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike në këtë vend?
- Të pritshme se për shkak se projekti i shtetit të Maqedonisë që në fillim është një projekt artificial. Fatkeqësisht po vazhdojnë maqedonasit me strukturën e vjetër mentale që të ngrisin shtetin e tyre etnik në shek XXI në një vend ku jetojnë mbi katërdhjetë përqind e popullatës me kombësi tjetër dhe me fe të tjera dhe kjo dita-ditës e shton konfliktualitetin brenda shoqërisë dhe e shton atë pesimizmin për ekzistimin e Maqedonisë në këtë formë të rregullimit shtetëror dhe juridik.
Cilat mendoni se janë fushat ku këto raporte ndëretnike mund të përshkallëzohen. Njoftimet e fundit nga Maqedonia lënë të kuptohet se shqiptarët kundërshtojnë të ashtuquajturin projekt i Shkupit 2014 ndërkohë që ka patur fërkime maqedono-shqiptare edhe në sferën ndëretnike, do të thoja.
- Do të kisha thënë se këto janë vetëm pasoja. Sipas meje, janë tri çështje themelore kryesore që prodhojnë konfliktualitetin brenda shoqërisë këtu. Aspekti i parë është se shqiptarët e Maqedonisë fatkeqësisht me Marrëveshjen e Ohrit bënë gabimin fatal dhe lejuan që të kenë statusin e numrave, statusin matematikor. Pa u definuar statusi juridiko-kushtetues i shqiptarëve, vështirë se mund të mendohet se do të ketë perspektivë. Çështja e dytë është manipulimet me buxhetin e shtetit, domethënë prej shqiptarëve inkasohen në buxhetin e shtetit afërsisht 35 deri 40 përqind dhe atyre u kthehen 2-3 përqind dhe kjo është një formë e re e eksploatimit ekonomik që i bëhet një populli. Dhe, përfundimisht, çështja e tretë është aspekti i vendimarjes. Maqedonasit vazhdojnë me shumë xhelozi dhe ashpërsi ta përvetësojnë vendimmarjen në kuadër të shtetit për të gjitha sferat e jetës dhe, sipas meje, këto janë tre çështjet kryesore të cilat më pastaj lënë pasoja të ndryshme në të gjitha sferat e jetës.
Z. Thaçi çfarë mendoni se duhet bërë me qëllim që të tejkalohen këto çështje të debatueshme?
- Mendoj e para se maqedonasit dhe shqiptarët duhet t'i qasen një marrëveshjeje të re politike mes tyre dhe në bazë të së cilës më pastaj do të bëhen edhe ndryshimet juridiko-kushtetuese brenda funksionimit të sistemit edhe të shtetit ku ky shtet përfundimisht do të definohet si shtet i popullit maqedonas dhe popullit shqiptar. Kryesisht një shtet binacional. Dhe e dyta, po aq e rëndësishme, është që me shpejtësi të bëhet kompromisi për të tejkaluar problemin me Greqinë dhe të hapet perspektiva e integrimit në Bashkin Evropian dhe në NATO. Përndryshe variantet tjera jo vetëm që janë jo serioze dhe komike, por mund të kenë dhe pasoja tragjike.
Çfarë do t'ju thoshit atyre të cilët thonë se edhe ideja juaj për marëveshjen historike maqedono-shqiptare është hap jo serioz?
- Unë mendoj se njerëzit, një pjesë e njerëzve kanë të drejtë të hezitojnë edhe të kenë dyshime. Ne nuk jemi një parti e re, edhe pse unë ka një kohë të shkurtër që e drejtoj këtë parti. Por mundohem edhe vetë, edhe me gjithë bashkëpunëtorët që këtë herë t'i bindim njerëzit që kemi një qasje tejet serioze. Është një pjekuri e lartë qoftë në aspektin teorik, edhe atë pragmatik e të bërit të politikë.
Sinqerisht, kemi bindjen se kjo është e vetmja rrugëdalje për mbijetesë të Maqedonisë, rrugët e tjera janë shpartallimi i Maqedonisë. Realisht kemi sukses dhe më lejoni të konstatoj se tashmë, sipas analizave, sondazheve e matjeve tona, ky projekt, kjo platformë e marrëveshjes politike, ka arritur të ketë mbështetjen e shumicës absolute të shqiptarëve.
Zoti Thaçi, pak më sipër përmendët integrimin euroatlantik të Maqedonisë. Faktori ndërkombëtar ka lënë një afat, përmendet muaji qershor që të tejkalohet çështja e mosmarrëveshjeve me Greqinë përsa i përket emrit. Cili është parashikimi juaj, çfarë mendoni se do të ndodhë deri në qershor?
- Si duket qeveria nuk ka ndërmend që t'i qaset me seriozitet dialogut dhe kompromisit në lidhje me Greqinë. Fjala është për lojra të ndryshme taktike të palëve që janë në qeveri. Faktori politik shqiptar, edhe pse inekzistent, i padëgjueshëm brenda qeverisë si formacion politik, mundohet të blejë kohë nga shtatori në dhjetor, pastaj në mars, e qershor e kështu me radhë.
Mendoj se kjo qeveri nuk ka kapacitete që ta zgjidhë këtë problem me Greqinë dhe çështjet etnike të brendshme që dita-ditës bëhen më të rënda dhe e vështirësojnë situatën. Për ne si parti opozitare, rruga më e mirë, më e padhimbshme, më demokratike, do të ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme.
Faktori ndërkombëtar disa herë ju ka bërë thirrje që deputetët e partisë suaj të kthehen në parlament. Kur do të kthehet PDSh-ja në parlament?
- Me shumë dashamirësi e mirëkuptim i kam pranuar sugjerimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Ata kanë dëshirë të madhe dhe të drejtë që të stabilizojnë situatën brenda në Maqedoni. Ne i kemi analizuar këto sugjerime, i kemi diskutuar edhe në kuadër të organeve të partisë.
Javën e kaluar mbajtëm mbledhjen e organit më të lartë të partisë, Kuvendit Qendror. Aty u diskutua gjerë e gjatë. Përfundimi i këtij kuvendi është se nuk kemi asnjëfarë arsyeje që të kthehemi në Parlament. Parlamenti i Maqedonisë vazhdon të jetë gjeneratori, prodhuesi i programeve, jo vetëm ligjeve, por i një diskriminimi të programuar që u bëhet shqiptarëve.
Ne vazhdojmë të jemi të gatshëm për dialog, dialog të mirëfilltë dhe dialog të thellë mes forcave politike këtu brenda, por ai dialog duhet të jetë serioz. Nuk duhet të bisedohet vetëm për pika që u interesojnë maqedonasve, por sigurisht se disa pika, në kuadër të atij dialogu, duhet të jenë edhe kërkesat e shqiptarëve.
Shumë është me rëndësi që të funksionojë dialogu i mirëfilltë në Maqedoni e më pastaj lehtë do të funksionojnë institucionet. Domethënë, sipas vendimit të Kuvendit Qendror të partisë sonë, ne nuk do të kthehemi në parlament.
BBC