Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta merr pjesë në çeljen e Pranverës Italiane: "Italia dhe Shqipëria 2010 - Dy popuj, një det, një miqësi"
Tiranë, 10 Mars NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta mori pjesë në çeljen zyrtare të Pranverës Italiane me temë "Italia dhe Shqipëria 2010 - Dy popuj, një det, një miqësi", aktivitet që u zhvillua në ambientet e rezidencës së Ambasadorit Italian në Tiranë.
Si evenimenti më i madh me karakter promovues i realizuar ndonjëherë në marrëdhëniet mes dy vendeve, kjo nismë e Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, do të shërbejë për të evidentuar dhe për të nxitur më tej potencialin e jashtëzakonshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, në shumë fusha e sektorë prioritarë, siç janë ekonomia, tregtia, energjetika, infrastruktura, transportet, kultura dhe shoqëria civile.
Në fjalën e mirëseardhjes Ambasadori i Republikës Italiane në Tiranë, z. Saba D'Elia e vuri theksin në kuadrin e privilegjuar të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve, që dëshmohen qartë nga vizita e fundit e Kryeministrit Berisha në Itali si dhe nga vizita e Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, z. Franko Fratini në Tiranë më 12 prill.
Gjithashtu Ambasadori D'Elia vuri në dukje lidhjet tradicionale kulturore e ato të miqësisë që ekzistojnë mes dy popujve, të cilat përbëjnë një urë të pazgjidhshme të këtyre marrëdhënieve. Ai e cilësoi këtë projekt të hapur ndaj ideve e nismave dhe ftoi, me këtë rast, të gjitha subjektet shqiptare e ato italiane të marrin pjesë aktivisht për realizimin e veprimtarive të ngjeshura të kësaj stine.
Në fjalën e tij, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Meta falënderoi Qeverinë italiane për ndërmarrjen e kësaj iniciative që përmes spektrit të gjerë të konferencave e debateve me karakter ekonomik, integrues dhe zhvillimor, do të dëshmojë partneritetin parësor strategjik, politik e ekonomik me Italinë fqinje e mike. Në këtë kuadër, ai përshëndeti veprimtaritë që do të ndërmerren me rastin e 20 vjetorit të Kooperacionit për Zhvillim, themelimin e Forumit të Dialogut ndërmjet Shoqërive Civile Shqiptaro-Italiane, por edhe diskutimet mbi projekte të përbashkëta për zhvillimin e ekonomisë dhe të infrastrukturës në Shqipëri.
Duke e cilësuar si një stinë të madhe të miqësisë, Zv. Kryeministri Meta vlerësoi se Pranvera Italiane do të ndriçojë nga një këndvështrim unik lidhjet e forta kulturore e shpirtërore mes dy popujve, që bazohen, ndër të tjera, në diasporën e hershme të arbëreshëve të Jugut të Italisë dhe në komunitetin e sotëm të shqiptarëve në Itali, të cilët po pasurojnë e konsolidojnë gjithnjë e më shumë urat tradicionale të miqësisë mes dy vendeve.
Në fund, z. Meta vlerësoi rolin edhe kontributin e veçantë të komunitetit shqiptar në Itali në marrëdhëniet e forta mes dy vendeve duke theksuar se: "20 vjet më parë kishim një det që na ndante, ndërsa sot kemi një det që na bashkon, e mbi të gjitha një projekt të përbashkët: Evropën e Bashkuar, me Shqipërinë dhe Ballkanin si pjesë të saj, një herë e përgjithmonë."
"Pranvera Italiane 2010 - Dy popuj, një det, një miqësi" do të zgjasë nga muaji mars deri në qershor 2010, në qytetet kryesore të Shqipërisë.
e.r/NOA