Tiranë, 10 mars, NOA - Eshtë zhvilluar sot mbledhja e dytë e Komitetit Drejtues për zbatimin e projektit të "Luftës kundër korrupsionit", drejtuar nga ministri i Shtetit Genc Pollo dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Helmut Lohan, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të insitucioneve shqiptare përfituese dhe të Këshillit të Evropës, që zbatojnë projektin e financuar nga IPA me vlerë 2.1 mln euro. Në fillim të mbledhjes, ministri Pollo deklaroi për mediat se "vullneti në luftën kundër korrupsionit ka prodhuar arritje e suksese në katër vitet e fundit, që që është njohur, jo vetëm nga publiku shqiptar, por dhe nga Komisioni Evropian, në progres raportet e tij".
Por gjithsesi, sipas tij, korrupsioni ende mbetet një problem dhe luftimi më tej kundër tij mbetet një sfidë që duhet fituar.
"Tanimë kemi filluar një projekt të financuar nga Komisioni Evropian me zbatues Këshillin e Evropës për një shqyrtim e veprim qilizëm në çdo dikaster të shtetit e në çdo fushë të jetës, për të goditur, reduktuar e çrrënjosur praktikat abuzive dhe korruptive", ka bërë me dijeni Pollo.
Më tej, ai ka shtuar se Komiteti në fjalë ka miratuar tashmë Planin e Veprimit për zbatimin e Strategjisë ndërsektoriale të parandalimit e luftës kundër korrupsionit dhe qeverisjes transparente për këta 12 muaj, plan i cili detajon të tëra veprimtaritë që çdo ministri do të ndërmarrë për luftimin e korrupsionit, rishikimin e procedurave e të veprimtarive ku korrupsioni është i mundur, si dhe masat që do të ndërmerren për ndëshkimin e keqbërësve të përfshirë në akte korruptive.
n.e/NOA