Tiranë, 10 mars, NOA - Organizatat dhe shoqatat e pavarura të shoqërisë civile tashmë mund të marrin fonde dhe nga qeveria për të realizuar objektivat e tyre.
Vendimi është marrë nga kryeministri, Sali Berisha, sot gjatë mbledhjes së qeverisë. Berisha bëri të ditur se një fond fillestar është caktuar për organizatat e shoqërisë civile, i cili do të shpërndahet nga ky bord.
Vendimi i qeverisë është cilësuar dhe nga vet kryeministri Berisha si një akt që jo shumë qeveri e kanë miratuar.
Duke vlerësuar rolin e shoqërisë civile, si një faktor të rëndësishëm i zhvillimit të demokracisë dhe të tregut të lirë në vend, Kryeministri e cilësoi këtë hap shumë të drejtë. "Organizatat e shoqërisë civile gjatë këtyre 20 viteve kanë qene promotorë dhe avokatë si në fushën e lirive dhe të drejtave njerëzore, promovimit të tyre, mbrojtjes së tyre, fushën e ligjeve , tregut të lirë, fushën sociale dhe në çdo fushë tjetër", tha Berisha.
Kryeministri bëri të ditur se një fond fillestar është caktuar për këto organizata , i cili do të shpërndahet nga ky bord. Duke e cilësuar këtë fond të domosdoshëm, kryeministri u shpreh se qeveria duhet të paguajë në mënyrë të veçantë kritikët e saj, organizatat që merren me denoncimin e korrupsionit dhe unë shpresoj, vijoi Kryeministri që bordi të ketë parasysh edhe këtë si një nga destinacionet e rëndësishme.
Duke theksuar se në mënyrë absolute nga qeveria nuk do të ketë asnjë ndërhyrje, kryeministri u shpreh se do të ishte në të dobi të mirë përdorimit të këtij fondi që bordi të ngrihet me përfaqësues të organizatave, shoqërisë civile, por dhe përfaqësues të administratës.
"Problemi i vetëm është që disa sektorë janë më të ndjeshëm për shoqërinë dhe për vendin. Një seri organizatash merren me problemin e mbrojtjes së fëmijëve, dhunës kundra grave dhe dhunës në familje, trafiqeve. Ato bëjnë një punë jashtëzakonisht të dobishme. Ndaj dhe unë shpresoj se ky bord që ngrihet me përfaqësues të organizatave, shoqërisë civile, por dhe përfaqësues të administratës, në mënyrë që të shënojë arritje në mënyrën e përdorimit të këtij fondi", u shpreh Berisha.
m.xh/NOA