English

Rama: PSE më mbështet për kutitë dhe vizat

Strazburg, 10 mars, NOA -Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se në takimet e zhvilluara në Strazbug dhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist dhe Demokrat në PE, ka marrë mbështetje për transparencën e zgjedhjeve dhe për liberalizimin e menjëhershëm të vizave për të gjithë shqiptarët.

"Dy janë çështjet e mëdha që na kanë sjellë këtë herë këtu në Parlamentin Europian; transparenca e zgjedhjeve të shkuara për të mos lejuar që të ardhmet t'ju ngjajnë të shkuarave dhe njëkohësisht liberalizimi i menjëhershëm i vizave për të gjithë shqiptarët", u shpreh Rama gjatë një prononcimi për mediat.

Ai ka theksuar se është shumë e rëndësishme që Europa ta mbështesë procesin e transparences. "Europa ta mbështesë betejën me korrupsionin elektoral; Europa ta mbështesë problemin madhor të ndarjes nga një e shkuar dramatike zgjedhjesh të deformuara e të konstatuara", ka thënë Rama.

Të të njëjtës rëndësie e ka cilësuar kreu i PS-së dhe heqjen e vizave.

"Ashtu sikundër është shumë e rëndësishme që Europa e gjitha ta mbështesë lëvizjen e lirë të shqiptarëve, sepse shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të paguajnë më për një politikë të vjetër dhe të verbër, që i mban ende mbyllur, i mban ende të izoluar në mes të një Ballkani që është çliruar përfundimisht, ku të gjithë lëvizin lirisht", u shpreh Rama.

Ai theksoi se ju drejtua Grupit Socialist Europian, duke i kërkuar mbështetje për këto çështje themelore.

"Pata nderin të komunikoj me përfaqësues të lartë të këtij grupi, por edhe të këtij parlamenti për të shpjeguar sesa e rëndësishme, sesa jetike, sesa e domosdoshme është për Shqipërinë e nesërme europiane transparenca e sotme e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive, ku e vërteta rrëqethëse e Ruzhdies duhet të dalë në dritë në të gjitha Ruzhdiet e tjera anembanë Shqipërisë dhe ku Shqipëria duhet të ndahet njëherë e mirë nga kjo praktikë e shëmtuar dhe e patolerueshme. E përsëris, Shqipëria duhet njëkohësisht t'i bashkangjitet të gjithë vendeve të tjera që lëvizin sot lirisht nëpër Europë", u shpreh Rama.

m.xh/NOA

KOMENTE