English

Shërbimi spitalor, çmime të reja në 2011

Tiranë, 10 mars, NOA - Në fillim të janarit të vitit të ardhshëm, çdo shërbim shëndetësor në qendrën spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë do të ketë koston e tij.

Ndryshe nga çfarë ka ndodhur deri më sot, kur pacientët paguanin me para në dorë, përmes faturave ose nën dorë në formë ryshfeti, nga janari i vitit të ardhshëm gjithçka do të jetë e kostifikuar, transparente në bazë të protokollit të mjekimit për çdo sëmundje.

Drejtori i përgjithshëm i QSUT, Ilir Dashi, ka deklaruar sot se afatet kohore janë shumë të shtrënguara dhe në 1 janar të vitit të ardhshëm gjithçka duhet të ketë përfunduar.

"Sapo kemi ngritur grupe pune me përfaqësues të drejtorisë dhe drejtues të specialiteteve të ndryshme në çdo pavion. Do të tërheqim mendimin e specialistëve të fushës, do të konsultohemi me ekspertë dhe jemi të vendosur që të përfundojmë në kohën e caktuar përcaktimin e kostove për çdo shërbim që do të nxjerrim në shitje vitin e ardhshëm", u shpreh Dashi.

Drejtoria e QSUT u ka kërkuar shefave të shërbimeve të hartojnë protokollet e mjekimit për çdo sëmundje, pasi kjo do të ndihmojë në përcaktimin e kostos që duhet të përballojë çdo shërbim.

Një tjetër projekt madhor në sistemin shëndetësor është informatizimi i të dhënave. Krijimi i database do të ndihmonte në formalizimin e pagesave dhe kartelizimin e pacientëve që do të marrin shërbim shëndetësor në sektorin publik.

b.a/NOA

KOMENTE