Shkup, 10 mars, NOA - Bashkësia ndërkombëtare është e shqetësuar lidhur me projektet dhe frymën e vazhdueshme nacionaliste të kampit qeveritar maqedonas të drejtuar nga VMRO-DPMNE, që po nxit tensione dhe padurueshmëri ndëretnike me projektin "Shkupi 2014". Në një vijë të tillë janë edhe analistët politikë shqiptarë dhe maqedonas. Autoritetet qeveritare akoma nuk kanë treguar transparencë edhe lidhur me hetimet e plota për dhunën e ushtruar në sheshin e Shkupit fundjavën e kaluar nga tifozët "Komitët" të klubit të futbollit "Vardar", të cilët udhëhiqen nga një lider partie minore ultranacionaliste maqedonase, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar.
Institutet për hulumtimin e opinionit publik dhe analistët në Shkup e Tetovë kanë shprehur doza shqetësimi lidhur me tensionimin e mëtejmë të situatës. Analisti dhe ligjëruesi universitar pranë UEJL-së në Tetovë, Jeton Shasivari vlerëson se incidenti i fundit në kryeqytetin e Shkupit është një dhunë sistematike që bën aparati shtetëror. "Të gjitha këto incidente që shkaktohen janë si pasojë e projektit të fundit 'Shkupi 2010', nga ana e qeverisë, e cila dëshiron të enklavizojë në çdo mënyrë të mundshme kryeqendrën nga shqiptarët. Do të shohim deri kur do të vazhdoj kjo çmenduri e një politikani duke tentuar të bëjë revizione historike", ka theksuar analisti Shasivari, duke shtuar se e gjithë kjo mund të sjellë në destabilizim të mundshëm të vendit.
Sipas tij, reagimi i partive shqiptare nuk është i vonshëm dhe se ato duhet të mundohen të ndërpresin këtë projekt, sepse një gjë e tillë është e mundshme. Qendra për Tolerancë Ndëretnike në Shkup nënvizon se studimi dhe hulumtimi i tyre i fundit paralajmëroi se mund të vjen deri tek tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike. Këto alarmime u dhanë në një anketë të bërë me qytetarët para një muaji. "Ne kemi thënë para disa kohëve se në Maqedoni marrëdhëniet ndëretnike janë buzë një konflikti. Toleranca ndëretnike sipas anketës tonë asnjëherë nuk ka qenë në një nivel të tillë tejet të ulët. Shumë shpejt mund të na ndodhin konflikte ndëretnike me përmasa të vogla, që seriozisht mund të destabilizojnë Maqedoninë", ka theksuar Vlado Dimovski nga Qendra Për Tolerancë Ndëretnike. Qeveria dhe kryeministri Nikolla Gruevski ka mohuar këto zëra duke theksuar se incidentet e fundit, sikur ai i tifozëve nuk kanë prapavijë të një konflikti apo incidenti ndëretnik.
NOA-INA