Tiranë, 10 mars, NOA - Presidenti i Republikës u ka sugjeruar përfaqësuesve të shoqatave shqiptare dhe ish të përndjekurve politikë që të ngrenë zërin dhe të ndjekin problemet e tyre në rrugë ligjore.
Deklarata e kreut të shtetit është bërë sot gjatë një takimi me drejtues të QSHRT-së, të Bashkimit të Sindikatave Shqiptare dhe të shoqatave të të përndjekurve politikë.
"Pasi dëgjoi me vëmendje mendimet e shprehura nga bashkëbiseduesit në këtë takim, Kreu i shtetit shqiptar i siguroi ata rreth vullnetit dhe predispozicionit të plotë personal dhe institucional ndaj shqetësimeve të tyre, duke u sugjeruar që të ngrenë zërin dhe të ndjekin të gjitha rrugët dhe procedurat e ligjshme institucionale me synim përmbushjen e kërkesës së tyre", thuhet në njoftimin për shtyp të presidencës në lidhje me sugjerimet që u ka dhënë kreu i shtetit drejtuesve të shoqatave.
Shoqatat që kanë marrë pjesë në takimin e kreut të shtetit kanë qenë: Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Shoqata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe të përndjekur politikë protagonistë të 20 shkurtit 1991.
Sipas njoftimit të presidencës, gjatë bisedës, të pranishmit midis të cilëve Gëzim Kalaja, Adrian Kati, Lulzim Braja dhe Sajmir Maloku shprehën mirënjohjen për interesimin që Presidenti i Republikës tregon ndaj shqetësimeve dhe nevojave të të përndjekurve politikë dhe gjithashtu për gatishmërinë e vazhdueshme të tij për takime dhe biseda me përfaqësues kësaj shtrese.
Ata e njohën Presidentin Topi me kërkesën e tyre që emërtimi i datës simbol 20 shkurt 1991 të pasqyrojë më mirë anën dhe të vërtetën historike të atij momenti, duke e përkujtuar atë si ditë të shembjes së diktaturës komuniste dhe të nderimit të viktimave të regjimit komunist.
m.xh/NOA