Tiranë, 10 mars, NOA - Zyra e Interpol Tiranës ka mundur të kryejë sot ekstradimin nga Roma drejt vendit tonë, të 43-vjeçarit Gëzim Ndreu, lindur në Vlorë.
Lajmi bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA duke sqaruar se ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Tiranës ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit "arrest me burg" për kryerjen e veprës penale të "Vrasjes me paramendim", parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal.
Konkretisht, Ndreu në vitin 1997, tek ish-lokal "Kolonja" ka vrarë për motive të dobëta me armë zjarri Besian Breçanin.
Ndërkaq, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i këtij të dyshuari, duke iu dorëzuar në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
n.e/NOA