English

"Azilkërkuesit e Belgjikës u manipuluan"

Bujanovc, 11 mars, NOA - Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi, vlerësoi sot se qytetarët nga Lugina e Preshevës, që në Belgjikë kanë kërkuar azil, janë viktima të manipulimit dhe i diskriminimit të këtij rajoni.

"Të gjithë ata njerëz janë viktima të manipulimeve të caktuara, të cilat agjencitë e ndryshme i kanë lansuar në rajon për mundësinë e fitimit të azilit ekonomik dhe politik", tha Kamberi, për mediat beogradase, duke shtuar se ata, po ashtu, "janë viktima të moszhvillimit ekonomik dhe diskriminimit të këtij rajoni, jo vetëm vitet e fundit, por për një sërë dekadash".

Raportohet se azil në Belgjikë kanë kërkuar kryesisht qytetarë shqiptarë nga jugu i Serbisë dhe Maqedonia.

Sipas tij, azilkërkuesit janë edhe të rinjë "të cilët për shkak të mosnjohjes së diplomave nuk kanë mundur të kenë perspektivë në rajon, për shkak të tensioneve politike dhe për shkak të deklaratave për arrestim, që jepen nga ana e Ministrisë së Brendshme të Serbisë".

Zoti Kamberi tha se tregimet për azil në Belgjikë kishin nisur nga Maqedonia.

Ka raporte se autoritetet e Belgjikës kanë filluar t'i kthejnë azilkërkuesit nga Serbia dhe Maqedonia.

NOA/EL

KOMENTE