Uashington, 11 mars, NOA - Legjislacioni në Kosovë në masën më të madhe ofron mbështetjen e nevojshme për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në shumë fusha; nga respektimi i lirive themelore, atë për lirinë e shprehjes dhe mediave, mbrojtjen për pakicat, gratë e fëmijët. Një fakt i tillë citohet në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit, për të drejtat e njeriut në kapitullin për Kosovën.
Ligji parasheh ndëshkime rreth korrupsionit të zyrtarëve, por qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efikase. Zyrtarë të përfshirë në praktika korruptive kanë kaluar pa u ndëshkuar. Bazuar në raportet e Bankës Botërore, korrupsioni ishte problem serioz", citon ai.
Duke shtuar se korrupsioni dhe ndikimi i qeverisë mbeten problem dhe për forcat e sigurisë dhe rendit në Kosovë. "Korrupsioni është i pranishëm dhe në gjyqësor, derisa sistemi i gjykatave nuk është efikas", - vlerëson Departamenti amerikan i Shtetit. Ndërkaq, sistemi i drejtësisë në Kosovë, në vlerësimin e Departamentit të Shtetit vuan nga zgjatja e procedurave dhe proceseve gjyqësore. Lidhur me lirinë e fjalës dhe të mediave raporti konstaton se nuk ka pasur censurë të drejtpërdrejtë mbi mediat e shkruara, apo ato elektronike. Por, pavarësisht këtij fakti, gazetarët kanë raportuar për presione nga politikanët apo krimi i organizuar, të cilat shpesh kanë rezultuar në forma indirekte të censurës, thuhet në raport. Një tjetër problem për Kosovën mbeten personat e zhvendosur. Nga 19,695 të zhvendosur, 52 për qind janë serbë të Kosovës dhe 38 për qind shqiptarë të Kosovës. Departamenti i Shtetit i referohet UNHCR-së, sipas së cilës mbi 15 mijë persona të zhvendosur gjenden në Mitrovicë. Raporti vlerëson se, megjithëse Kosova nuk është nënshkruese e Konventës së vitit 1951, legjislacioni i miratuar nga Kuvendi i Kosovës i referohet konventës në fjalë. n.e/NOA