English

Dokle: 18 marsi, shansi i fundit për Berishën

Tiranë, 11 mars, NOA - Shqyrtimi i ligjeve të propozuara nga opozita në 18 mars, është cilësuar nga deputeti i PS-së, Namik Dokle, si shansi i fundit për transparencë i kryeministrit Berisha.

Në një konferencë për mediat, Dokle u shpreh se rasti i Ruzhdies nuk është i izoluar dhe manipulimet në këtë vend treguan se zgjedhjet kanë qenë me probleme në gjithë vendin.

"18 Marsi, dita kur parlamenti do të shqyrtojë dy projektet e paraqitura nga opozita, është shansi i fundit për mazhorancën që t'i hapë rrugë demokracisë evropiane në Shqipëri, është shansi i fundit që të dalë nga errësira e krimit elektoral dhe të hap rrugën e transparencës", u shpreh Dokle.

Ai u shpreh se Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar janë të vendosur ta çojnë deri në fund aksionin e tyre për hetimin e plotë dhe pa kufizim të zgjedhjeve.

"Në ditën që Komisioni i Ligjeve të Kuvendit filloi shqyrtimin e projektligjit të opozitës për transparencë të plotë e të pakufizuar të zgjedhjeve, në fshatin Ruzhdie të Fierit, përfaqësuesi zgjedhor i PD përdori dhunën kundër përfaqësuesit zgjedhor të PS", u shpreh Dokle. Ai e ka cilësuar këtë si simbolikë e masakrës elektorale të qeverisë Berisha.

"Rasti i Ruzhdies, krimi elektoral i vërtetuar tashmë katërcipërisht në atë qendër votimi, ia ka mekur zërin Kryeministrit dhe gjithë tellallëve të tij, brenda e përreth PD-së, por të zhytur në terrin elektoral ata nuk pranojnë hapjen e kutive sepse e dinë mirë çfarë kanë ato!", u shpreh Dokle

m.xh/NOA

KOMENTE