English

"Elektra", sot premiera në TK

Tiranë, 11 mars, NOA/ Milena Selimi - "Elektra" e Sofokliut, premiera e parë e Teatrit Kombëtar për këtë vit, është vendosur përfundimisht të jepet të enjten, duke pasuar edhe në ditët e fundjavës. Pas një shtyrje prej një jave, në një konferencë për shtyp organizatorët njoftuan për datën e saktë të premierës, e cila do të përkojë edhe me premierën e Teatrit të Metropolit, "Playboy i trojeve tona".

Tragjedia "Elektra", e shqipëruar nga Laert Vasili, vihet në skenë nga regjisori Adonis Filipi. "Elektra", shkruar nga Sofokliu, konsiderohet si një nga tragjeditë më të mëdha greke, si një nga kryeveprat e të gjitha kohërave.

Ngjarjet e Elektrës paraqiten që tek "Odiseja" e Homerit, por historia e saj prezantohet në veprën e tre tragjedianëve të mëdhenj të antikitetit: Eskili, Sofokliu dhe Euripidi. Sofokliu ndjek linjat kryesore të "Koefores" së Eskilit dhe tragjedinë e tij e mbështet në një histori shumë popullore greke: legjenda e Shtëpisë së Atreut. Elekta interpretohet nga Luiza Xhuvani, ndërsa Roza Anagnosti është në rolin e nënës vrastare, Klitemnestrës. Aktorë të tjerë që luajnë në këtë tragjedi janë: Ahmet Pasha, Vasian Lami, Monika Lubonja, Bujar Asqeriu, Elida Janushi dhe kori.

Skenograf është Fatbardh Marku, kostumograf Bllagoi Nicevski, kurse koreografe Mirela Nestora.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE