English

Maqedoni, asnjë spiun i zbuluar

Shkup, 10 mars, NOA - Rreth 200 funksionarë shtetërorw, duke përfshirë ministra, deputetë dhe zyrtarë të lartë si dhe 923 të punësuar në gjyqësi pritet të kalojnë rrjetën e komisionit të lustrimit, ku pritet që të ketë ose ndonjë të pwrfshirw si ish-spiun i shërbimeve sekrete. Komisioni për hapjen e Dosjeve është bllokuar deri në pritjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vendosw përfundimisht që lustrimi të kap periudhën deri në vitin 2008, ashtu siç është në ligj, apo periudhën deri në vitin 1991 me pavarësimin e Maqedonisë.

Që nga fillimi i procesit të lustrimit nga ana e Komisionit për hapjen e dosjeve, deri tani asnjë zyrtarë i lartë shtetëror në Maqedoni nuk ka dalë se ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete.

Kryetari i këtij komisioni, Janakie Vitanovski vlerëson për se është herët për të dhënë një konstatim të tillë, se a do të dalin ose jo spiunët, pasi që sipas tij në rrjetën e shqyrtimit dhe verifikimit janë rreth 1200 persona, zyrtarë të lartë shtetëror, ministra, deputetë, gjykatës, prokurorë dhe avokatët e popullit, që duhet të verifikohen se a kanë qenë apo janë spiunë të shërbimeve sekrete.

"Ne kemi përfunduar me pranimin e deklaratave, por ato janë shumë dhe nuk mund të japim shumë hollësi. Deri tani janë lustruar 63 zyrtarë të lartë të shtetit, duke përfshirë kryeministrin, presidentin dhe kryeparlamentarin e zyrtarë të tjerë dhe të cilët kanë figuruar se nuk kanë qenë bashkëpunëtor të sigurimeve shtetërore. Do të shohim sepse ka edhe më tej shumë punë për të bërë, por jemi bllokuar nga Gjykata Kushtetuese", ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA, Vitanovski.

Lustrimi shkon sipas radhës

Komisioni për hapjen e dosjeve së fundi ka pranuar 923 deklarata të noterizuara nga të punësuarit në sferën e gjyqësorit. Në këtë kategori që duhet të lustrohet janë përfshirë: gjykatësit e gjykatave të vendit, prokurorët, Avokati i Popullit si institucion,etj. Nga sfera e politikës dhe institucioneve ekzekutive dhe eshalonëve të tjera, në adresën e komisionit janë deponuar rreth 270 deklarata të ministrave, deputetëve dhe funksionarëve të tjerë shtetëror, të cilët gjithashtu do të hyjnë në fazën e lustrimit dhe do të verifikohet karriera e tyre. "Është problematike sepse procesi po ecën ngadalë, por së fundi jemi të bllokuar nga vendimi i gjykatës kushtetuese", ka theksuar kryetari i komisionit Vitanovski, duke shtuar se funksionarët po lustrohen sipas radhës, ashtu siç janë deponuar deklaratat dhe jo sipas pozitave. Deri tani nuk janë bërë të ditur emrat e personave që janë lustruar dhe se për këtë nuk jep hollësi edhe komisioni përgjegjës.

Gjykata Kushtetuese bllokoi punën

Gjykata Kushtetuese tejmase ka rënduar punën e komisionit, pasi që siç bëhet e ditur puna intensive në këtë institucion ka stagnuar. Abrogimi i katër neneve nga gjykata kushtetuese deri në vendimin përfundimtar është një nga arsyet që anëtarët e komisionit po ndjehen të bllokuar dhe nuk mund të fillojnë punën. Nenet që duhet të shqyrtojë Gjykata kushtetuese janë ai që parashikonte që lustrimi të vlejë deri në 2008-ën, nenet që kanë të bëjnë me publikimin e emrave të personave që nuk dorëzuan deklarata te Komisioni i Lustrimit dhe emrat e atyre për të cilët do të vërtetohet se kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete. Gjykata do të shqyrtoj ligjshmërinë edhe të nenit me të cilin parashikohej që objekt i lustrimit të jenë edhe liderët fetarë, zyrtarët e partive dhe udhëheqës e anëtarë të shoqatave jo-qeveritare. Një nga propozimet e gjykatës është që lustrimi të përfshijë periudhën deri në vitin 1991 me pavarësimin e Maqedonisë dhe jo deri në vitin 2008, ashtu siç është paraparë me ligjin e miratuar. Nga Gjykata Kushtetuese bëjnë të ditur se gjatë 20 ditëve të ardhshme do të vendoset lidhur me çështjen që ka të bëjë me lustrimin dhe do të jepet vendimi përfundimtar. Përfaqësuesit e komisionit kanë bërë të ditur se do të respektojnë çdo vendim që do të dal nga Gjykata Kushtetuese.

Kush dëshiron dhe kush fshihet

Derisa tek disa qarqe publike shoqërore ka hezitim për tu kryer procesi i lustrimit, Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM), por edhe nisma nga qarqet gazetareske kanë kërkuar që të përfshihen të gjithë priftërinjtë dhe gazetarët në skanerin e lustrimit. KOM ka dorëzuar kërkesë tek Komisioni për lustrimin që të dorëzojë deklarata se priftërinjtë a kanë qenë apo jo bashkëpunëtor të sigurimeve shtetërore. Këto dy kategori edhe me ligj nuk janë paraparë për tu përfshirë në procesin e lustrimin, mirëpo kërkesat e tyre janë vullnetare. "Ata duan vullnetarisht të përfshihen në procesin e lustrimit edhe pse nuk janë obliguar me ligj", ka theksuar kryetari i Komisionit për lustrim, Janakie Vitanovski. Nga ana tjetër, deri tani nuk ka mbërritur asnjë nismë nga Bashkësia Fetare Islame, për lustrimin fillestar të hoxhallarëve dhe përfaqësuesve të lartë të komunitetit fetar islam. Në BFI nuk kanë dashur të komentojnë vendime që nuk obligojnë me ligj këtë institucion.

Politika kërkon lustrim deri në vitin 2008

Ndërkohë, politika dhe krerët e partive politike kanë kërkuar që lustrimi të përfshijë periudhën deri në vitin 2008, ashtu siç është paraparë në ligjin e miratuar me koncensuz të të gjitha forcave politike. Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski kohë më parë i dërgoi letër institucionit të organit më të lartë gjyqësor për të respektuar ligjin i cili ka një koncenzus të gjerë dhe se ky institucion ka formuar grupin e ekspertëve për të mbrojtur nenet e abroguar nga Gjykata Kushtetuese. Shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Tahir Hani vlerëson për se Gjykata Kushtetuese duhet të marrë parasysh përgjigjen e Parlamentit dhe të mos kontestojë nenet e ligjit. "Ligji për lustrimin duhet të vlejë deri në vitin 2008 dhe në këtë drejtim mendoj se gjykata do të merr parasysh këtë. Përfundimisht duhet ti lejohet Komisionit të vazhdojë punën e vetë drejt implementimit dhe zbatimit të ligjit. Ky është interesi i Maqedonisë për zhvillim pa pengesa të proceseve demokratike dhe lirimin e institucioneve nga imponimet që mund të bëhen prej qendrave të shërbimeve sekrete", ka theksuar deputeti Hani, i cili ka ndjekur procesin e implementimit të ligjit për lustrim. Komisioni për dosjet është vënë në heshtje deri në vendimin e gjykatës dhe se ata paralajmërojnë aktivitete intensive dhe transparencë lidhur me shqyrtimin e gjitha deklaratave se a ndodhen ose jo spiunët në mesin e politikës apo sistemit të gjyqësisë.

NOA-INA

KOMENTE