Beograd, 11 mars, NOA - Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë ditës së tij të parë të vizitës dy-ditore në Beograd është takuar me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, duke filluar kështu bisedimet me zyrtarët e lartë serbë të planifikuara në kuadrin e saj.
Bëhet me dijeni se në takimin me Metën, presidenti serb, ka theksuar rëndësinë e marrëveshjes për bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar, tregtisë ilegale me drogë dhe terrorizmit ndërkombëtar.
Palët e kanë vënë theksin në përmirësimin e bashkëpunimit dypalësh, të cilin e kanë konsideruar në nivel të ulët dhe veçanërisht në fushën e ekonomisë.
Më tej, bëhet me dijeni se Meta ka parashikuar edhe një takim me ministrin e Brendshëm, Ivica Daçiç si dhe ministrin e Jashtëm, Vuk Jeremiç.
Ndërkaq, ai ka zhvilluar edhe homazhe në varrin e ish-kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç, i cili humbi jetën gjatë një atentati që iu krye shtatë vjet më parë.
n.e/NOA