English

METE, grup pune për Statusin e Minatorit

Tiranë, 11 mars, NOA - Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës ka ngritur një grup pune për të hartuar një studim mbi mundësinë konkrete për realizimin e Statusit të Minatorit.

Në këtë mënyrë qeveria ka marrë masa konkrete për të zgjidhur konfliktin me shoqatën e ish-minatorëve. Lajmi është bërë i ditur nga ministria e Ekonomisë e cila sqaron se grupi është ngritur me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti.

Grupi i punës është ngritur në bazë të urdhrit të Kryeministrit nr. 28. Datë 5.2.2010 "Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për Statusin e Minatorit", dhe do të kryesohet nga zëvendësministri Neritan Alibali.

Në përbërje të këtij grupi do të jenë dhe të tjerë funksionarë të lartë të METE, përfaqësues nga Ministria e Financave, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Drejtësisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Ky grup pune, deri në datën 05.04.2010, do të hartojë studimin mbi mundësitë konkrete për realizimin e statusit të minatorit, si dhe t'i paraqesë Kryeministrit propozimet për këto mundësi, së bashku me aktet e nevojshme ligjore dhe nënligjore lidhur me Statusin e Minatorit. Për realizimin e detyrave të përcaktuara në urdhrin e Kryeministrit, grupi i punës do të shfrytëzojë praktikën e deritanishme lidhur me Statusin e Minatorit. Në përfundim të punës për hartimin e dokumenteve mbi statusin e minatorit, grupi i punës do të konsultohet me faktorët e interesit.

m.xh/NOA

KOMENTE