English

Programi për njohjen e OKB-së nga të rinjtë

Tiranë, 11 mars, NOA - Studentë shqiptarë nga 17 shkolla të mesme nga i gjithë vendi do të marrin pjesë në Konferencën Vjetore "Modeli i Kombeve të Bashkuara për të Rinj", e cila do të mbahet në Tiranë, më 11-13 Mars 2010. Studentët e përfshirë në aktivitetin e këtij viti janë përzgjedhur nga të gjitha zonat gjeografike të Shqipërisë dhe 75 % e pjesëmarrësve janë vajza duke nxitur në këtë mënyrë edhe fuqizimin e vajzave të reja.

Konferenca zhvillohet nga PNUD dhe gjatw saj skuadra e Modelit të Kombeve të Bashkuara (KB) do të improvizojë Këshillin e Sigurimit, Asamblenë e Përgjithshme dhe Këshillin Ekonomik-Social.

Delegatët do të pretendojnë si të vërtetë rolin e përfaqësuesve diplomatik dhe do të përballen me detyra sfiduese dhe tërheqëse për çështje nga axhenda e gjerë e OKB-së. Temat që do të diskutohen në konferencë përfshijnë: Impakti i trafikut të paligjshëm të armëve tek fëmijët; Nxitja Ekonomiko-Sociale e Barazisë Gjinore; dhe nevoja për veprim në përballje me krizën globale të ujit.

Në kuadër të aktiviteteve të Modelit të OKB-së, nxënësit do të vizitojnë disa institucione diplomatike në Tiranë, si: Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ambasadën e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Turqisë, Egjiptit dhe disa Agjenci të OKB-së. Si pjesë e vizitave, nxënësit do të kenë mundësi të takojnë diplomatë të vërtetë dhe të mësojne për punën e këtyre institucioneve.

Pjesëmarrja në Modelin e OKB-së do t'i jap studentëve mundësinë të thellojnë njohuritë mbi marrëdhëniet ndërkombëtare duke fuqizuar në të njëjtën kohë dhe aftësitë e tyre udhëheqëse, negociuese, të menaxhimit të konflikteve, të folurën në publik dhe aftësitë hulumtuese.

Programi i Modelit të OKB-së, inkurajon në të njëjtën kohë të rinjtë të marrin një rol aktiv në çështje ndërkombëtare, duke promovuar edhe të drejtat dhe aspiratat e tyre për një partneritet global më të mirë. Pjesëmarrja më e madhe e të rinjve në vendim-marrje është një pjesë integrale e arritjes së paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm në botë.

Konferenca e Modelit të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri është një bashkëpunim midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ambasadës Amerikane, Korpusit të Paqes së SHBA-së, dhe sistemit të OKB-së në Shqipëri. Modeli i OKB-së ka si qëllim ndërgjegjësimin dhe rritjen e interesit të studentëve dhe mësuesve të shkollave të mesme mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe çështjet me interes global. Nëpërmjet Modelit të OKB-së, nxënësit informohen edhe mbi punën dhe rolin e OKB-së në promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Studentët gjithashtu kanë mundësi të krijojnë rrjete bashkëpunimi dhe shkëmbimi eksperience me rajone të ndryshme të vendit.

m.xh/NOA

KOMENTE