Tiranë, 11 mars, NOA - Pas deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha, i cili tha se rritja e rrogave dhe pensioneve do të vazhdojë, Partia Socialiste reagoi sot duke deklarua se me rritjen e çmimeve Berisha i varfëroi shqiptarët.
Sipas deputetes së PS-së Mimi Kodheli, kryeministri me një dorë të jep rritje rroge dhe me të dyja duart ta merr sërish. Për Kodhelin, rritja e pagave dhe pensioneve me 10% është thuajse e pamundur të realizohet.
"Nuk ka gjë më dëshpëruese për një vend, sesa kur drejtohet nga një kryeministër që zgjedh t'u përgjigjet halleve e problemeve të popullit jo me punë e masa konkrete, por me mashtrime e me propagandë boshe. Kjo është pikërisht ajo që bëri dje në mbledhjen e kabinetit Kryeministri i Ruzhdies kur u premtoi shqiptarëve rritje rrogash e pensionesh në masën 10%", u shpreh Kodheli.
Ajo theksoi se ne nuk presim që Sali Berisha tu shpjegojë shqiptarëve se nga do të vinë paratë për këtë rritje rrogash në një kohë që arka e shtetit është bosh dhe situata ekonomike financiare e Shqipërisë të zhytur në borxhe veç sa vjen e po rëndohet.
"Aq më pak presim që Sali Berisha t'u tregojë shqiptarëve se fajin për këtë derexhe ku është katandisur ekonomia e ka pikërisht qeveria e Sali Berishës, paaftësia dhe abuzimet me ekonominë për qëllime elektorale", tha Kodheli.
m.xh/NOA