Tiranë, 11 mars, NOA Update - Politika shqiptare nuk duhet të luajë aspak me interesin e përbashkët të shqiptarëve mbi heqjen e vizave me Bashkimin Evropian.
Një thirrje të tillë e ka bërë në emër të deputetëve të Partisë Socialiste, përfaqësuesja e tyre, Arta Dade, nga foltorja e Kuvendit, ku ka pohuar se ata janë të interesuar për plotësimin e kësaj ëndrre për shqiptarët dhe në emër të saj i lënë të gjitha konfliktet me mazhorancën.
"Lojërat e politikës së ditës nuk mund të hyjnë në këtë fushë të madhe që u përket gjithë qytetarëve shqiptarë", ka hedhur mesazhin e saj në emër të opozitës, deputetja socialiste Arta Dade.
Ndërkaq, opozita u rikthye ashtu siç kishte premtuar në Kuvend për mbështetjen e rezolutës së liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.
Duke vlerësuar se procesi i liberalizimit të vizave është shumë i rëndësishëm për vendin dhe duke mos dashur që të bëhen pengesë e këtij procesi, deputetët e PS-së kanë zënë vendet e tyre në parlament.
n.e/NOA