English

"E ardhmja në BE, pavarësisht Kosovës"

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, dhe homologu i tij serb Vuk Jeremiq, kanë deklaruar në Beograd se përkundër mospajtimeve të thella për statusin e Kosovës, ardhmëria e Ballkanit është në Bashkimin Evropian.Shefi i diplomacisë serbe ka thënë se paqja dhe stabiliteti në rajon do të varen shumë nga marrëdhëniet e serbëve dhe shqiptarëve, ndërkohë që ministri Meta në një intervistë për BBC-në foli për rëndësinë e pajtimit shqiptaro-serb.

Zoti Meta u takua edhe me presidentin serb Boris Tadiq, si dhe vizitoi rajonin me shumicë shqiptar të Luginës së Preshevës. Në një intervistë për BBC Meta flet për rëndësinë e vizitës dhe për arritjet e saj.

Çfarë prisni nga kjo vizitë të cilën të dyja palët e cilësuan si historike?

-Unë besoj se kjo vizitë zyrtare do t'i japë një impuls të fuqishëm bashkëpunimit shumë të rëndësishëm midis dy vendeve, i cili absolutish që është një element thelbësor dhe kyç për stabilitetin dhe paqëtimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor dhe njëkohësisht për të përshpejtuar integrimin evropian të Shqipërisë, Serbisë dhe të të gjitha vendeve të tjera të rajonit tonë. Dhe, natyrisht, pavarësisht nga pikëpamjet thelbësisht të ndryshme lidhur me statusin e Kosovës, unë besoj se të dyja qeveritë dhe të dy vendet janë të angazhuara për t'i adresuar në mënyrë sa më konstruktive të gjitha mospajtimet, ashtu sikurse kjo vizitë tregoi edhe vendosmërinë për të mosi i ngadalësuar ose frenuar marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Serbisë dhe marrëdhëniet rajonale dhe integrimin rajonal për shkak të këtyre dallimeve të rëndësishme që ekzistojnë për statusin e Kosovës.

Agjencitë e lajmeve ju citojnë të keni deklaruar se qeveria e Shqipërisë dhe e Serbisë kanë rol të pazëvendësueshëm dhe vendimtar për pajtimin e shqiptarëve dhe të serbëve. Gjithnjë duke marrë parasysh, siç thatë edhe ju, qëndrimet e kundrëta për sa i përket statusit të Kosovës, a mendoni se për këtë pajtim do të duhet edhe shumë kohë?

-Pikërisht për këtë duhet edhe intensifikimi marrëdhënieve midis të dy vendeve, përfshirë, jo vetëm ato midis qeverive në mënyrë të veçantë, por edhe të aktorëve të tjerë shumë të rëndësishëm të shoqërisë civile, të botës akademike, universitare, të biznesit, pra, të gjithë atyre që kërkojnë një përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendeve tona drejt Bashkimit Evropian. Absolutisht që do të fitojmë kohë duke evituar sa më shumë retorikën, referencat e ndryshme ndaj historisë. Tani, në fund të fundit, është detyra jonë, e politikanëve, që me kurajo, me vizion, të përqendrojmë gjithë energjitë për të ardhmen e qytetarëve tanë, për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të mos merremi me historinë më shumë se sa i takon.

Duke folur për BBC-në, njëri prej udhëheqësve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës presin shumë nga shteti shqiptar, qeveria shqiptare, pas qendrimit tuaj në këtë rajon. Çfarë mund të bëjë Shqipëria për të përmirësuar gjendjen e tyre atje?

-Vizita ime në Luginën e Preshevës ka qenë një dëshirë dhe ëndërr për mua prej shumë vitesh, që nuk kam arritur ta realizoj shtatë vjet më parë. Tani është mundësia që të jem në këtë Luginën për herë të parë, jo thjesht si vizitor, por në radhë të parë si përfaqësues i qeverisë shqiptare për të treguar vëmendjen maksimale që ne i kushtojmë integrimit të shqiptarëve atje, progresit të standardeve në të cilat ata jetojnë, ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të tyre kombëtar dhe kulturor dhe natyrisht për këtë ne do të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë e Serbisë. Dhe natyrisht që jam shumë i kënaqur nga garancitë që kam marrë nga vetë presidenti (Boris) Tadiq për të bërë gjithçka që është e mundur për të përmirësuar kushtet e tyre dhe integrimin e tyre.

Në këtë moment që po flas me ju jam në automjetin që po udhëtoj së bashku me ministrin e Pushetit Lokal të qeverisë së Serbisë zotin Milan Markoviq dhe besojmë se absolutisht që do të ketë progres në këtë drejtim dhe shpresoj edhe në mirëkuptimin e përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për të punuar të gjithë së bashku që edhe ky rajon, që është një nga më të varfërit të Serbisë, por jo I vetmi, të përparojë sa më shpejt.

Zoti Meta, shqiptarët e Luginës së Preshevës do të dëshironin firmosjen së shpejti të një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit. A është e realizueshme kjo?

-Unë besoj se kjo do të realizohet. Shqipëria ka paraqitur këtë projekt-marrëveshje. Është një prioritet kryesor për ne dhe besoj se kjo çështje do të realizohet në një të ardhme të afërt, ashtu si edhe çështje të tjera të cilat krijojnë mundësi dhe lehtësi praktike për shqiptarët e Preshevës, për të rinjtë e Preshevës në mënyrë që ata të kenë një perspektivë dhe të ardhme sa më të mirë.

Zoti Meta ju njiheni si një mik i ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq. Qëndrimi juaj në Beograd u përputh pikërisht me shënimin e përvjetorit të vrasjes së tij. Si e kujtoni të ndjerin Gjingjiq?

-Do të thoja se sot është një ditë e veçantë për Serbinë pasi është përvjetori i shtatë që ky vend përkujton dhe nderon kujtimin e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq i cili ishte politikani që ndryshoi perspektivën e këtij vendi duke e orientuar drejt demokracisë dhe integrimit evropian. Njëkohësisht ai ishte dhe politikani i cili e kuptoi i pari rëndësinë e përmirësimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Shqipërisë, por edhe rëndësinë e pajtimit dhe përmirësimit të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve në të gjithë rajonin.

KOMENTE