English

Incidenti i FSK-së me KFOR-in

Sa më shumë këso intervenimesh të KFOR-it, aq më shumë do të kemi kërkesa për realitet nga qytetarët, sepse do të merret vesh që ajo që e marrim për realitet në të vërtet është iluzion. Duke konsideruar që FSK-ja është përnjëmend ushtri njerëzit relaksohen dhe nuk kërkojnë e nuk angazhohen që të kemi ushtri. Efekti i iluzionit është demobilizimi e pasiviteti. Komandanti i KFOR-it duke përsëritur që FSK-ja nuk është ushtri, paradoksalisht dhe mbase pavetëdijshëm, po përpiqej t'i vetëdijësonte shqiptarët se duhet ta bëjnë ushtrinë, se kjo që kanë, pra kjo FSK-ja, nuk është fare e tillë.

Nga Albin Kurti

Megjithatë, kishte diçka shumë të dobishme në këtë incidentin me FSK-në: qeveria dhe KFOR-i demaskuan njëri-tjetrin. U kuptua që KFOR-i s'është as për së afërmi yni siç jemi ne të tij. U kuptua që Kosova nuk ka burrështetas, sepse ka liderë institucionalë të cilëve u përputhet interesi vetëm me atë të kameramanit.

Në billbordin qeveritar kushtuar Epopesë së UÇK-së askund nuk ndodhej ngjyra e kuqe. FSK-ja në Epope ishte një tjetër orvatje për ta kosovarizuar shqiptarin më të madh, Adem Jasharin, e për t'i futur dëshmorët e kombit në paketë (të Ahtisaarit). FSK-së, madje, i ishte thënë që s'duhej t'i shfaqte armët. Armët mund të ekspozohen kur na vizitojnë burrështetas të huaj, jo edhe atëherë kur vizitohet historia jonë. Pushka e shfaqur me 5 mars sigurisht se nuk mbetet vetëm pushkë - ajo bëhet pushkë kundër Serbisë.

KFOR-i deklaron se është neutral ndaj Kosovës, por ai kurrsesi s'mund të jetë neutral ndaj Serbisë. Gjeneralët e KFOR-it nënshkruan marrëveshje me gjeneralët serbë në Kumanovë më 9 qershor 1999. Prezenca e KFOR-it në Kosovë bazohet në këtë Marrëveshje të Kumanovës. Prandaj, me ekspozimin e ca pushkëve me 5 mars, nuk ishte problemi se rrezikohej multietniciteti në Kosovë, por se acarohej Serbia. Adem Jashari dhe Jasharët e tjerë kurrë nuk e kanë vrarë a plagosur asnjë serb civil. Ata kanë qëlluar ushtarët e policët serbë. Ata e kanë tmerruar Serbinë dhe jo serbët. Asnjë serb civil nuk e ka ditur se kush janë Adem e Hamëz Jashari gjersa ata qarkullonin ilegalisht nëpër Kosovë deri ditën kur u vranë. Regjimi i Beogradit e ka ditur gjithmonë se kush janë Adem e Hamëz Jashari. Nga tytat e pushkëve të FSK-së me 5 mars nuk po lëndohej multietniciteti, por Beogradi. Këtë hall kishte KFOR-i.

Përderisa nuk kemi ushtrinë tonë, qenia e KFOR-it nuk do të jetë vetëm mbrojtje por edhe shantazh implicit për të mbrojturin, në stilin: unë shkoj e ju merruni vesh me Serbinë! Jo se ushtria jonë menjëherë do të ishte më e fortë se e Serbisë, por ajo do të mjaftonte që Serbia të mendohej tri herë para se ta sulmonte Kosovën. E, kur mendon tri herë, zakonisht nuk vepron më. A nuk ishte ky rasti me Malin e Zi të cilin Koshtunica e kërcënonte në rast se organizon referendum, e pastaj në rast se e shpall pavarësinë? Që të dyja këto i bëri Mali i Zi pasi që paraprakisht për më se një vit po i shfaqte çdo mbrëmje në televizion ushtrimet e forcave të veta ushtarake. Për ta inkurajuar popullin e për ta frikësuar Koshtunicën. Që të dyja këto u arritën dhe s'pati luftë, natyrisht.

Neve na duhet ushtria. Jo për të sulmuar, por për të mos na sulmuar. Duke pasur ushtri nuk do të kemi nevojë të mbrohemi. Ushtria është mbrojta e cila e zbraps sulmin ende pa ndodhur ai. Mirëpo, shumë njerëz në Kosovë shumë shpesh kanë qejf t'ia bëjnë qejfin vetes. Ta zëmë, shumë sish kishin qejf që TMK-në e cila u shua ta konsideronin ushtri, sikurse edhe FSK-në tashti. KFOR-it po aq shpesh i pëlqen kjo gjë. Problemi nis kur iluzioni fillon e materializohet ngapak. Iluzioni është iluzion përderisa mbetet i tillë, pra: iluzion. Jo atëherë kur sadopak jep shenja se mund të bëhet realitet. Në anën tjetër, iluzioni është iluzion pikërisht pse merret për realitet. Sapo iluzioni e nxjerr kokën a bishtin në realitetin objektiv, atëherë prishet rendi i gjërave. Dhe, siç e pamë, intervenon KFOR-i. KFOR-i do që realitetin ta marrim për iluzion e iluzionin për realitet. Çfarëdo përpjekje për ta ndryshuar këtë skemë konsiderohet rrezik për sigurinë dhe shqetësuese për ambientin. E, KFOR-i, siç na rrëfen nëpër reklamat e tij, është këtu për një ambient të qetë dhe të sigurt, apo jo? Sundimi ndërkombëtar në Kosovë në shikim të parë ngjan veçse politik dhe jo ushtarak, për arsyen e vetme se KFOR-i nuk është sfiduar. Nganjëherë thjesht duhet të shkelen rregullat për t'u vetëdijësuar se sa të padrejta janë ato. Më 5 mars po i ngrite pushkët, qofshin ato edhe pa fishekë e me grykë përpjetë, KFOR-i menjëherë të vjen te dera.

Sa më shumë këso intervenimesh të KFOR-it, aq më shumë do të kemi kërkesa për realitet nga qytetarët, sepse do të merret vesh që ajo që e marrim për realitet në të vërtet është iluzion. Duke konsideruar që FSK-ja është përnjëmend ushtri njerëzit relaksohen dhe nuk kërkojnë e nuk angazhohen që të kemi ushtri. Efekti i iluzionit është demobilizimi e pasiviteti. Komandanti i KFOR-it duke përsëritur që FSK-ja nuk është ushtri, paradoksalisht dhe mbase pavetëdijshëm, po përpiqej t'i vetëdijësonte shqiptarët se duhet ta bëjnë ushtrinë, se kjo që kanë, pra kjo FSK-ja, nuk është fare e tillë.

Duke e problematizuar çështjen e ekspozimit të armëve kur janë në dorë të shqiptarëve (për dallim të armëve para sharrës që i pret pas konfiskimit), KFOR-i e ka vendosur tavanin për FSK-në. Asnjë kreu institucional apo partiak nuk do t'i shkojë as mendja ta avancojë FSK-në në një të ardhme të afërt. Kjo do t'i zbraps politikanët nga çfarëdo serioziteti kur do ta përmendin shprehjen ‘integriteti territorial'. Pikërisht kur është publikuar ‘strategjia' për veriun, u dëshmua se FSK-ja s'del dot si ushtri as në Prishtinë ku, fundja, më së paku nevojitet, se lëre më në kufijtë e Kosovës ku më së shumti është e domosdoshme një gjë e tillë.

Kur ushtarakët e KFOR-it thonë se Kosova nuk ka rrezik prej jashtë, ata orvaten ta arsyetojnë premisën aspak ushtarake të tyre, se Kosova nuk ka nevojë për ushtri. Por, edhe ShBA-të, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia e deri te vendet edhe më të vogla se ne që janë në BE nuk e di se çfarë rreziku kanë prej jashtë, por e di se ato vazhdojnë t'i mbajnë ushtritë e veta për të cilat kujdesen që ta kenë armatimin sa më cilësor në përputhje me të arriturat e fundit shkencore dhe teknologjike. Pasja e ushtrisë nuk lidhet me rrezikun nga jashtë por me vullnetin, gatishmërinë dhe aftësinë për ta mbrojtur vendin pavarësisht shkallës dhe natyrës së rrezikut, pavarësisht nëse rreziku është më shumë perceptim sesa realitet apo anasjelltas.

Megjithatë, kishte diçka shumë të dobishme në këtë incidentin me FSK-në: qeveria dhe KFOR-i demaskuan njëri-tjetrin. U kuptua që KFOR-i s'është as për së afërmi yni siç jemi ne të tij. U kuptua që Kosova nuk ka burrështetas, sepse ka liderë institucionalë të cilëve u përputhet interesi vetëm me atë të kameramanit. Edhe nxjerrja e armëve pa fishekë, edhe pendesa e Sejdiut dhe Thaçit kur u shtrinë para komandantit të KFOR-it, e treguan këtë gjë. Mbase e vërteta përgjithësisht ka formën e një procedure demaskimi. Duhet ta kuptojmë se ajo që e kemi në fakt nuk është, dhe ajo që është nuk e kemi. Në mënyrë që ta bëjmë e ta kemi. Politikanë si Thaçi e Sejdiu nuk e bëjnë ushtrinë. Ata u shtrinë.

KOMENTE