Tiranë, 12 mars, NOA - Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministrin e Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë, Mihalis Kristoforidhis, me të cilin vlerësoi protokollin e nënshkruar për bashkëpunimin në fushën e rendit publik midis dy vendeve, si një hap tjetër shumë të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit në fushën e rendit e sigurisë, por edhe në konsolidimin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy qeverive dhe të dy vendeve, në të gjitha fushat.
Në këtë kontekst, kryeministri Berisha rishprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për të nënshkruar çdo marrëveshje, për të luftuar me efikasitet të plotë krimin, në dobi të forcimit të sigurisë dhe ruajtjes së rendit publik, si dhe jetës e pasurisë së qytetarëve të dy vendeve.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë, Mihailis Kristoforidhis e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i transmetoi atij përshëndetjet më të përzemërta të kryeministrit grek Papandreu.
Ministri grek vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis qeverive dhe të dy vendeve dhe i konfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Greqisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në veçanti për heqjen sa më të shpejtë të vizave për qytetarët shqiptarë.
"Ne besojmë se liberalizmi i vizave për qytetarët shqiptarë për në hapësirat evropiane do të sjellë reduktim të mëtejshëm të aktiviteteve të paligjshme duke konsoliduar edhe më tej rendin e sigurinë në rajon", u shpreh ministri grek.
Në ketë kontekst, ministri Kristoforidhis e informoi Kryeministrin Berisha për miratimin, në parlamentin grek, të ligjit, i cili lejon dhënien e shtetësisë për emigrantët e brezit të dytë, me banim të rregullt në Greqi, i cili pritet të sjellë një kontribut të rëndësishëm ne përmirësimin e mëtejshëm te kushteve te jetesës dhe për integrimin emigrantëve shqiptarë në shoqërinë greke.
n.e/NOA