Strugë, 12 mars, NOA - Një ndër ekspertët më të njohur financiar në rajonin e Ballkanit, njohës i politikës monetaro-financiare, ish ministër i ekonomisë dhe financave të Shqipërisë dhe deputet aktual në Parlamentin Shqiptar, prof.dr. Arben Malaj, në ligjëratën e tij me titull " Kostoja e konflikteve dhe luftërave në Ballkanin perëndimor", para auditorit të Universitetit ndërkombëtar në Strugë, bëri një prezantim me ilustrime grafike dhe numerike sipas periudhave që ka kaluar Ballkani që nga viti 1910.
Duke përmendur periudhën e fundit, veçanërisht nga viti 1990, të vendeve ballkanike, prof. dr. Arben Malaj, mes të tjerash theksoi: " Lehtë konstatojmë se më 1993, me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, ekonomia u shkatërrua, rritja ekonomike në atë vit shënonte - 38%. Në vitin 1999, gjatë ndërhyrjes së NATO-së për Kosovën sërish ekonomia e Serbisë u zvogëlua me 18%. Krizat, konfliktet dhe luftërat në këto dy vite kritike e zvogëluan ekonominë e këtij vendi me rreth 56%, duke i bërë sërbët dy herë më të varfër se sa ishin. Gjatë viteve të luftërave dhe konflikteve ballkanike, këtyre humbjeve nuk i shpëtuan as Bosnja e Hercegovinë e Maqedonia, që poashtu shënuan rritje negative ekonomike. Kur është fjala për shqiptarët, duhet të konstatojmë se në vitin 1990, krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, ishin 49% më të varfër se shqiptarët e viteve 1910 dhe rreth 70% më të varfër se popujt e vendeve të Evropës lindore. Programet postkonfliktuale sipas praktikave të FMN-së kërkojnë nga 6 deri në 18 muaj e pas kësaj kërkohen programe për eliminimin e impakteve të krizave".
Në vazhdim të ligjeratës së tij, prof. Dr. Arben Malaj shtoi se kredibiliteti tek mirëqeverisja, do të nxisë dhe lehtësoje konsensuse e compromise shoqërore e politike për sfidat e vendit.
Sa i përket integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, Ballkani nuk është element shqetësues për Europën, por është një perspektivë ekonomike- përfundoi prof. dr. Arben Malaj.
Ai, në vazhdim, iu përgjigj edhe shumë pyetjeve lidhur me ligjëratën dhe aspekte të tjera integrative e zhvillimore, të parashtruara nga auditori i pranishëm.
NOA-INA