English

Nis plani policor "Të shpëtojmë jetë"

Prishtinë, 12 mars, NOA - Duke filluar nga dita e sotme, Policia e Kosovës ka filluar së realizuari një plan policor, i cili synon parandalimin e aksidenteve me fatalitet dhe atyre me lëndime si dhe përmirësimin e gjendjes së sigurisë në komunikacionin rrugor. Lajmi konfirmohet nga burimet policore të Kosovës, sipas të cilave vërehet se ka rritje të numrit të aksidenteve në përgjithësi, veçanërisht ngritje të aksidenteve me fatalitet atyre lëndime dhe me dëme të mëdha materiale.

"Ky trend po vazhdon duke u rritur dukshëm dhe këto të dhëna na sinjalizojnë se situata është më se shqetësuese dhe paraqet problem serioz në shoqërinë tonë. Prandaj mbështetur në Planin Strategjik si dhe Planin Operativo-Preventiv Policor, policia do të ngrit nivelin e përgjithshëm të sigurisë në rrugë duke shtuar aktivitetet policore sidomos në vendet apo zonat e identifikuara si zona të rrezikshme për pjesëmarrësit në komunikacion", thuhet në këtë deklaratë.

Më tej, sqaron sesi plani në fjalë përfshin të gjitha aktivitetet e nevojshme policore në ngritjen e sigurisë në trafik rrugor, përfshi aplikimin e pikave kontrolluese të automjeteve, përdorimin e alkool-testit dhe matësit të shpejtësisë, angazhimi i pandërprerë i zyrtarëve policorë në implementimin e këtij operacioni gjatë orarit të tyre të rregullt të punës etj.

"Njësitë patrulluese duhet të formojnë pika të kontrollit statike dhe lëvizëse duke shtuar kontrollin e trafikut në mënyrë që të arrihet deri tek qëllimi final për parandalimin e aksidenteve të komunikacionit dhe mbrojtjen e jetës së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion rrugor", sqarohet nga policia.

Më tej shtohet se njësitë patrulluese do ta shtojnë numrin e patrullimeve në veçanti në rrugët që konsiderohen me prioritet, frekuencë më të madhe të qarkullimit të automjeteve, vende të vlerësuara si zona të rrezikshme etj.

n.e/NOA

KOMENTE