Tiranë, 12 mars, NOA - Partia Socialiste reagoi sot në lidhje me miratimin e ligjit për SHISH, duke e cilësuar këtë ligj si një shenjë papërgjegjshmërie nga ana e qeverisë ndaj vendit.
Deputeti i PS-së, Eduard Shalësi u shpreh se pas mungesës së transparencës për zgjedhjet, Berisha po tregon dhe mungesë transparence për ligjet e miratuara.
"Ndërkohë që Shqipëria ka nevojë për reforma, ligje dhe institucione demokratike në shërbim të qytetarëve, me projekt-ligjin tashmë të miratuar në komisionin e ligjeve Sali Berisha rihap një plagë nga e cila vuajtën të gjithë shqiptarët kur ai ishte president, plagë që e mbajnë mend mirë ende, SHIK-u famëzi", u shpreh Shalësi
Ai ka theksuar se PS dhe partnerët ndërkombëtar i kanë kërkuar Sali Berishës të rishikojë dhe të rikonceptojë projekt-ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Shalësi ka shtuar se ligji i SHISH do të sjellë dhe reagimin e ndërkombëtarëve.
"Ndërkohë që PS është e tepër e shqetësuar dhe shoqëria civile thellësisht e merakosur, me këtë ligj Sali Berisha na vendos edhe në një kontradiktë me partnerët tanë ndërkombëtare, kontradiktë që do të jetë e pariparueshme në rast se ai nuk do të tërhiqet nga qëllimet e tij ogurzeza", u shpreh Shalësi.
m.xh/NOA