Tiranë, 12 mars, NOA - Inxhinierët gjeologë të Institutit të Gjeoshkencës japin alarmin se 40 për qind e sipërfaqes së tokës në vend është në rrezik nga rrëshqitjet e dherave.
Sipas inxhinierit Ylber Muceku, studimet e fundit gjeologjike kanë paralajmëruar rrezikun e rrëshqitjeve por problem mbetet mosmarrja parasysh e këtyre alarmeve nga ana e pushtetit lokal.
"E kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi se nga veriu në jug të vendit, kodrat dhe shpatet mbi të cilat pas viteve '90 është ndërtuar, paraqesin rrezikshmëri pasi gjatë këtyre viteve njeriu përmes veprimtarisë së tij ka dëmtuar rëndë këto formacione gjeologjike. Kodrat e jugut të cilat nisin nga Durrësi e përfundojnë në Sarandë dhe zonat e veriut që përfshijnë Burrelin, Shkodrën janë të gjitha në rrezik prej rrëshqitjeve. Problem mbetet mungesa e masave për mirëmbajtjen e këtyre zonave trë njohura si të rrezikshme nga erozioni", thotë gjeologu Muceku.
Sipas specialistëve, situata paraqitet më e rëndë në disa zona urbane dhe në pothuajse të gjitha zonat rurale të vendit.
Kjo për shkak se ndërtuesit nuk marrin parasysh studimet gjeologjike
Për t'i paraprirë rrezikut të rrëshqitjeve, fenomen që s'ka më ndalje, gjeologët kërkojnë zbatimin e masave të nevojshme që nga pyllëzimi i shpateve dhe mirëmbajtja e tyre e deri te ndalimi i ndërtimeve të reja në formacionet gjeologjike të njohura si të rrezikshme.
Specialistët thonë se rasti tipik i shembjes së pallatit në Gjirokastër tregoi se ndonëse studimi gjeologjik paralajmëroi rrezikshmërinë prej shpatit në të cilin ishte ngritur godina, firma ndërtuese nuk bëri asgjë për t'i paraprirë tragjedisë.
Sipas tyre, edhe rrëshqitjet e dherave në Currila të Durrësit janë shembull tipik i neglizhencës së ndërtuesve pasi gjeologët thonë se kjo zonë njihet për rrezikshmërinë nga rrëshqitjet e tokës, por duket se këtë nuk po e kuptojnë bizneset e ndërtimit.
b.al/NOA